Në përpjekjen për të tërhequr vëmendjen e botës mbi gjendjen e tyre të mjerueshme, refugjatët sirianë në fshatin kufitar të Idomenit në Greqi, kanë improvizuar intervista televizive, me kamera e mikrofonë prej letre apo kartoni.

Mbi 10 mijë refugjatë po qëndrojnë në kampet e Idomenit, në pritje të hapjes së kufirit me Maqedoninë, për të vazhduar më pas rrugëtimin e tyre drejt Europës Veriore.

Mustafa Omari, refugjat nga Siria, mendon se bota i ka harruar ata pasi shumë pak media vijnë për të përcjellë kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë. Ai dhe kolegët e tij ndërmorën iniciativën për të imituar intervistat televizive me kamera false.

Madje, ata mbajtën edhe një Asamble të Përgjithshme të OKB dhe një samit të BE për të folur lidhur me krizën e refugjatëve. Në këtë mënyrë ata shpresojnë të tërheqin vëmendjen dhe të inkurajojnë refugjatët e tjerë.

“Thonë se vdekja vjen vetëm një herë. Por këtu ne vdesim çdo ditë, çdo orë dhe nuk po gjendet asnjë zgjidhje për ne”, tha Omar.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel