Tërmeti në Ekuador, 72-vjeçari, 13 ditë nën rrënoja

03/05/2016 00:00

Në thuajse dy javë, një 72-vjeçar mbeti i bllokuar mes mureve të dhomës së tij që u shembën si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi Ekuadorin më 16 prill.

Ndërtesa ku Manuel Vasquez jetonte u shemb pas lëkundjeve të fuqishme të tërmetit prej 7.8 ballësh, një nga më të fortët në Ekuador në dekadat e fundit.

Të premten, një ekip vullnetarësh nga Venezuela dëgjuan zhurma që vinin nga një ndërtesë e shembur në qytetin Jaramijo ndërsa inspektonin sigurinë e godinave. Pasi ata hynë në rrënojat e ndërtesës gjetën 72-vjeçarin të dehidratuar rëndë dhe të çorientuar.

Ekipi i emergjencës e dërgoi menjëherë në spital, ku ai po kurohet dhe sipas mediave vendase, është jashtë rrezikut për jetën. Mjekët thonë se pavarësisht dëmtimeve në trup, Vasquez është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ende nuk është e qartë se si ka mbijetuar për 13 ditë nën rrënoja.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Venezuelës në Ekuador pasi vullnetarët e saj raportuan për çfarë kishte ndodhur.

Tërmeti në Ekuador i kushtoi jetën më shumë se 600 njerëzve në atë që konsiderohet si tragjedia më e rëndë në vend prej më shumë se 60 vitesh.

Top Channel