Kriza politike në Irak, protestuesit: Kthehemi të premten

03/05/2016 00:00

Protestuesit që hynë me forcë në “zonën e gjelbër” dhe më pas Parlamentin irakian në Bagdad tashmë janë tërhequr, por organizatorët e tyre thonë se sfida ndaj lidershipit nuk ka marrë fund.

Kryeministri irakian, Hajder al Abadi, duhej të lajmëronte qeverinë e re, por nuk ia doli dot pasi mungoi kuorumi në sallë dhe kjo shkaktoi zemërimin e njerëzve që u vunë në lëvizje.

Pas pushtimit të Parlamentit, kryeministri urdhëroi autoritetet që të arrestojnë këdo që sulmoi forcat e sigurisë dhe ata që shkatërruan pronën publike. Por, nuk duket të ketë qenë kjo arsyeja e tërheqjes së demonstruesve, të cilët thanë se po largohen për të mos përshkallëzuar krizën në vend dhe për të respektuar pelegrinët e një feste fetare shiite.

Në fakt, mediat raportojnë se nuk pa asnjë përpjekje nga forcat e sigurisë për të arrestuar dikë, pavarësisht urdhrit të kryeministrit. Protestuesit thanë se demonstratat e tyre do të vazhdojnë të premten, nëse deri atëherë nuk do të jetë formuar ende qeveria e teknokratëve.

Al Sadr dhe mbështetësit e tij, si armë kryesore për të luftuar korrupsionin, kërkojnë formimin e një qeveria me njerëz që nuk i përkasin forcave politike, diçka që është mbështetur edhe nga kryeministri Haider al Abadi, megjithëse jo drejtpërdrejtë.

Kjo sigurisht nuk i pëlqen aspak partive të mëdha në Parlament që prej kohësh vonojnë formimin e qeverisë duke thelluar krizën në vend, e cila pasojë kryesore ka përpjekjet aspak serioze për të luftuar Shtetin Islamik.

Top Channel