Sytë nga Tirona, bardheblutë kanë në dorë fatin e kampionit

02/05/2016 00:00

Në mesjavë luhet derbi kryeqytetas mes Tiranes dhe Partizanit që do të jetë udhëkryqi kryesorë i të kuqve për të mbetur në të njëjtin hap me Skënderbeun përpara përballjes direkte.

Ndërkohë, për bardheblutë ky derbi vjen në një moment të vështirë pasi ne formacion do mungojnë katër lojtarë për arsye të ndryshme: Karan, Muzaka, Kerciku dhe Malaj. Trajneri bardheblu, Ilir Daja, në një intervistë për Top Channel sqaron problemet e skuadrës ne prag derbi.

“Derbi nuk na gjen në momentin tonë më të mirë sepse kemi një kontingjent shumë të limituar, sa që për këtë ndeshje ta radhës mund të hidhen për herë të parë dy 18-vjeçar ose Bulku që vjen pas një periudhe shumë të gjatë mosaktivizimi”, shprehet trajneri Daja.

Si çdo mbyllje sezoni, aleancat janë frika dhe shpresa më e madhe e atyre që luftojnë për titullin. Por, për tifozët bardheblu, të cilët që prej 7 shkurtit 2014 ja kanë dorëzuar Tiranën rivaleve të kuq, një aleancë fluide me Partizanin në këtë kampionat me performancë mesatare, do ishte e patolerueshme.

“Tirona nuk ka qenë pjesë e aleancave dhe mendoj se aty qëndron madhështia e këtij klubi sepse luan futboll vetëm në fushë”, shprehet Daja.

Edhe pse në derbi, gjithmonë dhe pavarësisht çdo momenti thuhet se janë të tria rezultatet e mundshme, trajneri Daja është realist. Situata jo e favorshme e ekipit të tij, ka aleat kësaj radhe vetëm fatin.

“Do të japim maksimumin për të fituar edhe pse është shumë e vështirë. Shpresoj që edhe shansi të jetë në favorin tonë këtë herë”, thotë trajneri i Tiranës.

Top Channel