Në finalen e Champions, Real Madrid apo Manchester City!

02/05/2016 00:00

Enigma e madhe është nëse do të jetë apo jo në fushë Cristiano Ronaldo, por me ose pa portugezin në fushë, Reali i Madridit shihet si favorit për të shkuar në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve.

Çdo llogari nis nga barazimi 0-0 në “Etihad Stadium”, dhe nëse në kryeqendrën spanjolle festojnë vendasit, atëherë prezantohet mundësia për të 11 kupë me veshë të mëdhenj.

Ndeshja e së mërkurës do të kompletojë finalen e turneut pasi vjen një ditë pas përballjes Bayern-Atletico dhe statistikat janë në favor të galaktikëve.

Reali i Madridit kërkon finalen numër 14 në kompeticionin elitar, ndërsa historia e “Citizens” është e varfër. Vetëm një finale për ekipin e kaltër të Manchesterit, dhe ajo daton hershëm në 1970.

Në Ligën e Kampioneve vetëm 31% e ekipeve që kanë barazuar në shtëpi në përballje direkte, kanë arritur të kualifikohen dhe këtë herë stadiumi “Santiago Bernabeu” do të bëjë të pamundurën të mbështesë “blankos” drejt finales.

Real ka mbajtur rrjetën të paprekur në 5 ndeshje në shtëpi këtë sezon në Champions League, por trajneri i Cityt që ka drejtuar më parë “iberikët”, e njeh mirë ambientin në Madrid. 

“U surprizova që Reali luajti kaq prapa në ndeshjen e parë, sidomos para pushimit. Ne kërkuam më shumë topat e gjatë dhe synuam golin e në një pikë mendova se madrilenët po kërkojnë të mos humbasin. City u mungoi krijueshmëria dhe humbëm topin shpejt, por mënyra si u vendosëm ishte e duhura. Kështu do ta nisim edhe në Madrid”, tha trajneri Pellegrini.

Top Channel