Bisedimet e Gjenevës, Kerry shpreson që armëpushimi sirian të përfshijë edhe Aleppon

02/05/2016 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thënë gjatë së hënës se, bisedimet po avancojnë dhe po shkohet shumë pranë përfshirjes së Aleppos në marrëveshjen e armëpushimit mes palëve ndërluftuese në Siri, pikërisht qytetit verior që ka parë një përshkallëzim therës të dhunës gjatë javëve të fundit, e që mund të vinte në diskutim edhe bisedimet për paqe.

Kerry ka vizituar këtë fillimjave Gjenevën, aty ku ka zhvilluar bisedime me figura të tjera të shquara të diplomacisë, në përpjekje për të rijetësuar armëpushimin e parë të rëndësishëm mes rebelëve antiqeveritarë dhe forcave besnike të Assadit, përgjatë luftës civile afro 5-vjeçare, marrëveshje që u arrit në muajin shkurt me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por që shpeshherë është shkelur.

Qeveritarët sirianë të udhëhequr nga Presidenti Bashar al-Assad kanë shpallur marrëveshje të përkohshme paqeje në zona të ndryshme të vendit gjatë javës së kaluar, por deri më tani kanë dështuar që pushimzjarrin ta shtrijnë edhe në qytetin e Aleppos, ku sulmet ajrore qeveritare dhe bombardimet e rebelëve kanë vrarë me qindra civilë përgjatë javës së kaluar, përfshi këtu mbi 50 viktimat e një spitali, që sipas rebelëve u shënjestrua qëllimisht.

Luftimet në Aleppo kërcënojnë rrënimin e bisedimeve të para për paqe mes palëve ndërluftuese, të cilat priten të rifillojnë në një datë të papërcaktuar ende, pas ngërçit që pësuan në muajin prill, kur delegacioni opozitar u largua me zemërim nga tryeza.

“Jemi duke iu afruar shumë mirëkuptimit mes palëve, por kemi ende shumë punë për të bërë, ndaj dhe jemi këtu”, tha Kerry në fillim të takimit me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir. Pasi takoi Jubeirin dhe të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, Kerry tha se shpresonte që të kishte më shumë qartësi gjatë ditës së ardhshme apo ndoshta edhe më tej, për të rikthyer armëpushimin e shtrirë në mbarë vendin. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord për të pasur stafe shtesë në Gjenevë, të cilët do të punojnë mbi këtë çështje.

“Të dyja palët, opozita dhe regjimi, kanë kontribuar në këtë kaos që ka përfshirë vendin, ndërsa ne do të punojmë intensivisht gjatë orëve në vijim për të bërë të mundur rikthimin e paqes dhe ndërprerjen e armiqësive mes palëve”, tha Kerry. Ndërkohë, De Mistura është shprehur i gatshëm të udhëtojë drejt Moskës për bisedime të mëtejshme.

Lufta civile në Siri ka lënë me qindra mijëra persona të vdekur, ndërkohë që ka shkaktuar largimin e miliona të tjerëve nga shtëpitë e tyre, duke shkaktuar atë që njihet si kriza më e rëndë e refugjatëve në botë që prej Luftës së Dytë Botërore, e njëkohësisht duke u ofruar terren militantëve të Shtetit Islamik të ndërmarrin sulme në zona të tjera të vendit.

Top Channel