Shpresë në luftën ndaj kancerit

02/05/2016 00:00

Femrat përballen shumë shpesh me këtë rrezik, madje mund të konsiderohet si sëmundja më e shpeshtë që prek ato, e bëhet fjalë për kancerin e gjirit. Por, shkencëtarët ia kanë dalë mbanë të zbulojnë një panoramë thuajse perfekte të zhvillimeve gjenetike, të cilat shkaktojnë këtë lloj tumori.

Studimi më i fundit i publikuar në “Nature” është përshkruar si një moment tepër domethënës, i cili do të mund të ndihmojë në gjetjen e rrugëve të reja të trajtimit dhe parandalimit të kësaj sëmundjeje. Ky konsiderohet edhe si studimi më i madh i llojit të vet, i cili praktikisht ka zbërthyer thuajse të gjitha mutacionet që shkaktojnë keqfunksionimin e indeve të shëndetshme të gjirit.

Qendra britanike e Kërkimeve për Kancerin bëri të ditur se, këto zbulime janë një gur i rëndësishëm themeli drejt zbulimit apo krijimit të kurave të reja për kancerin e gjirit. E për të zbuluar se çfarë e shkaktonte këtë sëmundje, shkencëtarëve dhe studiuesve u është dashur të kuptojnë se çfarë shkon keq në ADN-në e një femre, që i kthen indet e shëndetshme në qeliza kanceroze.

Grupi ndërkombëtar i studiuesve mori në shqyrtim të 3 miliardë “shkronjat” e kodit gjenetik të njeriut, rrjedhimisht të gjithë gjurmët jetësore të tij, në 560 raste të tumorit të gjirit. Ata arritën të zbulonin 93 komplete instruksionesh apo gjenesh, të cilat nëse pësojnë mutacion mund të shkaktojnë tumorin në fjalë. Disa prej tyre ishin zbuluar edhe më parë, por shkencëtarët presin tashmë që kjo listë të jetë përfundimtarja, për të penguar kështu edhe mutacionet më të rralla.

Top Channel