Kosova, shpresë për vizat. Thaçi: Jemi duke numëruar orët

02/05/2016 00:00

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur i bindur se, pas plotësimit të të gjitha kritereve të kërkuara, Kosova do të marrë gjatë kësaj jave rekomandimin për heqjen e vizave nga ana e Komisionit Europian.

“Dua të theksoj se, procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është duke numëruar ditët dhe javët, por është duke numëruar orët. Ky është një lajm i mirë, është një histori e re për Kosovën”, tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Edhe ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, që është identifikuar me procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë për Top Channel se, pas marrjes së rekomandimit gjatë kësaj jave, lëvizja pa viza e qytetarëve të Kosovës do të nisë brenda disa muajve në zonën “Schengen”.

“Gjatë këtij viti, i gjithë ky proces do të përmbyllet dhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm e pa viza. Përvoja e vendeve të rajonit është e ndryshme. Shqipëria, nga momenti i dhënies së rekomandimit e deri në fillimin e zbatimit të tij, priti të kalonin 6 muaj. Ndërsa në rastin e Republikës së Kosovës mund të jetë një periudhë edhe më e shkurtër, sepse siç e thashë, këtë shpejtësi e përcakton saktësisht dinamika e brendshme e vendimmarrjes në kuadër të BE-së”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian.

Çollaku tha se, Kosova nuk do të ketë asnjë rekomandim shtesë, ndërsa – sipas tij, – qytetarët duhet të kenë kujdes në respektimin e rregullave të qëndrimit në zonën “Schengen”, për të cilën ai tha se qeveria do të bëjë edhe një fushatë informuese.

Top Channel