“Eurostat”: Afro 90 mijë të mitur të pashoqëruar, azilantë në BE gjatë 2015-s

02/05/2016 00:00

Rreth 88 mijë e 300 të mitur të pashoqëruar kanë kërkuar azil në Bashkimin Europian gjatë vitit 2015, prej të cilëve plot 13 për qind jane të rinj nën 14 vjeç, të cilët kanë “kapërcyer” kontinentet pa prindërit e tyre në kërkim të një vendi të sigurtë. E gjitha kjo, sipas të dhënave të publikuara nga BE-ja këtë të hënë.

Më shumë se një milion banorë iu larguan luftrave dhe varfërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën veriore, me synimin për të gjetur strehë në Europë gjatë vitit të kaluar. E teksa kjo shifër është thuajse dyfishi i atyre të para dy viteve, pra vitit 2014, numri i të miturve të pashoqëruar është katërfishuar, siç mësohet nga shifrat e agjencisë europiane “Eurostat”.

Të miturit përbënin rreth një të tretën e 1,26 milionë aplikimeve të para për azil, të dorëzuara në shtetet e Bashkimit Europian vitin e kaluar.

Vendet e BE-së janë futur në një ngërç për shkak të mosmarrëveshjeve sesi ta zgjidhin këtë krizë emigracioni në Europë, më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që edhe ndjenjat antiemigracion janë rritur së tepërmi, e këtu nuk bëjnë përjashtim vendet që tradicionalisht kanë qenë bujarë sa i përket ndihmës së njerëzve që vinin me statusin e refugjatit.

Të paktën 4 në 10 të mitur të pashoqëruar kanë aplikuar për azil në Suedi, aty ku vendasit kanë bërë thirrje për kontrolle më të rrepta, me dyshimin se të rritur të shumtë po shkojnë drejt atij vendi duke u vetëkonsideruar si të fëmijë, në mënyrë që të sigurojnë mbrojtjen e shtetit pritës, gjë që nuk do të mund ta siguronin në rast të kundërt pasi do t’u refuzohej.

Shifrat e “Eurostat”-it iu referohen veçanërisht azilkërkuesve “të konsideruar të mitur të pashoqëruar”, gjë që do të thotë se shtetet e BE-së ose e kanë pranuar moshën e deklaruar të të rinjve, ose e kanë përcaktuar atë vet përmes procedurave të vlerësimit të moshës së tyre.

Më shumë se 90 për qind e të miturve, që kanë udhëtuar pa prindërit e tyre apo ndonjë kujdestar, ishin meshkuj, e më shumë se gjysma e tyre kanë qenë të grupmoshës 16-17 vjeç. Prej tyre, gjysma kanë qenë afganë, ndërsa grupi i dytë më i madh janë sirianët, me 16% të totalit.

Pas Suedisë, Gjermania, Hungaria dhe Austria, konsiderohen gjerësisht si destinacionet kryesore të të rinjve të pashoqëruar, të cilët kanë kërkuar azil. Ndërkaq, në përpjekje për të frenuar fluksin e refugjatëve, Bashkimi Europian ka arritur një marrëveshje me Turqinë për të marrë mbrapsht emigrantët e paligjshëm në këmbim të refugjatëve të ligjshëm, si dhe liberalizimit të vizave për turqit. Turqia strehon aktualisht rreth 2.7 milionë refugjatë nga Siria fqinje, e shkatërruar prej një lufte civile mbi 5-vjeçare.

Top Channel