Skandali i bisedimeve tregtare, Greenpeace: SHBA, presion BE-së

02/05/2016 13:35

Mediat gjermane thonë se 240 faqe tekst nga bisedimet e fshehta tregtare transatlantike të rëna në duart e grupit Greenpeace tregojnë presionin e ushtruar ndaj BE-së nga Amerika për të pranuar marrëveshjen.

Uashingtoni duket se ka lënë të kuptohet se do të bllokonte eksportet e makinave europiane në Shtetet e Bashkuara për ta detyruar kësisoj bllokun 508 milionë banorësh të blejë më shumë produkte të fermave amerikane të konsideruara si të rrezikshme për ambjentin, pretendon ajo që zbuloi e para skandalin e “Panama Papers”, “Süddeutsche Zeitung” dhe dy televizione publike gjermane.

Greenpeace deklaroi se do ta publikojë më vonë të gjithë materialin, veprim ky që bie ndesh me qëndrimin gojëkyçur të ekipeve negociatore amerikane dhe europiane, të cilat i kanë zhytur në sekret të plote tre vjet bisedime të partneritetit të investimeve dhe tregtisë transatlantike.

TTIP-ja nuk është aspak popullore në Gjermani. Në prag të vizitës së Barack Obamës në panairin e tregtisë në Hanover javën e kaluar, me mijëra kundërshtarë të paktit dolën në rrugë për të protestuar.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA thotë se, persona pranë bisedimeve e kanë konfirmuar autenticitetin e dokumenteve, qasja ndaj të cilave deri tani ka qenë rreptësisht e kufizuar.

Parimet e bllokut se mallrat duhen çertifikuar fillimisht si “të sigurta”, përpara se të kalojnë në tregjet europiane janë cituar shpesh herë nga zyrtarët e BE-së si arsye për frenimin e importit të produkteve amerikane të manipuluara gjenetikisht e të trajtuara me hormone.

Top Channel