Ermira Mehmeti: Rrugëtimi im në politikë, Zaev, zgjedhjet e ardhshme…

02/05/2016 00:00

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, në një intervistë për Top Channel ka rrëfyer qëndrimin e saj lidhur me çështjet kryesore të situatës politike në Maqedoni, përfshirë këtu përgjimin, rastet “Monstra” e “Kumanova”, zgjedhjet e qershorit dhe bashkëpunimin eventual me VMRO-DPMNE.

TCH: Si ka nisur rrugëtimi në politikë i Ermira Mehmetit?

Ermira Mehmeti: Unë vij nga një familje të persekutuarish politik, që në kontekstik e ish-Jugosllavisë kanë një simbolik tjetër nga ajo që mund të kishte një i përndjekur në Shqipëri. Im atë ka qenë i burgosur politik gjatë kohës së Aleksandar Rankoviç, ministër i Brendshëm i Jugosllavisë. Gjyshi im ka qenë i burgosur politik dhe edhe nga nëna ime, që është nga Gjakova, kemi një histori të zhdukurish e të masakruarish gjatë luftës së viteve ’98-’99. Ndaj shumë natyrshëm ndodhi përfshirja ime në një lëvizje që kishte idenë e avancimit politik të shqiptarëve dhe edhe emancipimin social e kulturor të tyre.

TCH: Prfesioni juaj është juriste. Ekziston ideja se politikanët dhe juristët duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur dicka. Sa herë ju është dashur të bëni kompromise?

Ermira Mehmeti: Kur flasim për një shtet si Maqedonia përplasjet janë së pari etnike e më pas bëhen politike. Këtu diku ndërmjet vjen edhe aspekti juridik. Kam patur në jetën time situata të vështira ku duhet të merrja qëndrime jo gjithmonë konform bindjeve të mia. I tillë ka qenë miratimi i ndryshimeve të ligjit për organizimin territorial, kur u zgjat bashkimi i Kërçovës me fshatrat përreth për t’u bërë komunë. Ky ka qenë një shembull. Në politikë kompromiset duket se janë një gjë e pritshme, jo e natyrshme, por me kalimin e kohës dhe maturimin politik të një individi edhe racionalizimi në aspektin e kompromiseve duket se maturon, për të mos thënë ndryshon.

TCH: Emri juaj është përfolur për një përgjim të publikuar një muaj më parë ku supozohej se ishte një bisedë mes jush dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri. Cila është e vërteta e kësaj bisede?

Ermira Mehmeti: Unë kam bërë jo një por disa ekspertiza private lidhur me atë lloj përgjimi ku bëhet një akuzë publike se bëhet fjalë për mua, por që të gjitha ekspertizat kanë treguar se bëhet fjalë për një montazh nga biseda të ndryshme, ku përdoret zëri im për t’i dhënë më shumë besueshmëri. Aktualisht ka një procedurë hetimore në Prokurorinë Speciale dhe unë nuk do të doja të ndërhyja pasi nuk dua ta dëmtoj hetimin që po e bëjnë ata. Bëhet fjalë për një konspiracion serioz e shumë të rrezikshëm…

TCH: Nga kush?

Ermira Mehmeti: Nga të gjithë ata që duan të dëmtojnë politikanët shqiptarë në Maqedoni, edhe një politikane femër. Në një situatë ku ka rënë tërësisht sistemi i sigurisë, rendit dhe ligjit, ne nuk mund të presim gjë tjetër veçse këtyre montimeve, apo konspiracioneve të këtilla, për fat të keq. Situata në Maqedoni është aq komplekse sa kam përshtypjen se çfarëdo që ne të themi në mbrojtjen tonë nuk i plotëson pritshmëritë e opinionit. Ka qenë një goditje e rëndë për një femër, që nuk do të dëshiroja t’i ndodhte asnjë gruaje. Mendoj se prapavija ka qenë që të dëshmohet se një femër politikane shqiptare në Maqedoni nuk mund t’ia dalë pa një mbështetje nga një mashkull i pushtetshëm. Kjo është taktikë e një skenari që historikisht është përdorur nga shërbimet sekrete në ish-Jugosllavi për të diskretituar një person publik.

TCH: Sa e vështirë ka qenë për familjen tuaj dhe ju personalisht?

Ermira Mehmeti: Qëllimi ishte që të goditet Ermira, por efekti të ishte pak më i gjerë, të goditej edhe familja. Bëhet fjalë për një shantazh që të nxisë tek individi ndjenjën e frikës për të pakësuar reaksionin e atij individi. Familja ime ngelet përkrah meje dhe e mira e kësaj është se ne dolëm nga kjo histori më të fuqishëm, më vëllazërorë e më të bashkuar. Për zhgënjimin e të gjithë atyre që deshën të më lëndojnë, unë tani ndihem më e fuqishmë se ç’kam qenë.

TCH: Ka patur mesazhe kërcënuese në adresën tuaj?

Ermira Mehmeti: Kanë ardhur të paktën 3 mesazhe kërcënuese. Për fat të keq nga individë me prejardhje edhe shqiptare e maqedonase, që flet se nëntoka, krimi dhe mendjet e liga tejkalojnë barrierat etnike për të cilat ne flasim në politikë. Bëhet fjalë për individë që kanë probleme me drejtësinë dhe e dinë që unë po përpiqem ta përmbyll këtë histori, që më ka lënduar por nuk më ka rrënuar. Këtë kam mësuar unë. Nuk e di në ja vlen që pas kësaj të merresh me politike, por di që është detyra ime të ringrihem dhe të vazhdojë jetën time. Ua kam borxh votuesve të mi, por sidomos familjes time.

TCH: Një tjetër temë për të cilën emri juaj është përfolur është ajo e rezolutës për Kosovën në KiE, ku amendamentet e propozuara nga Shqipëria nuk kaluan për një votë, që ishte e juaja. A jeni ndjerë fajtore apo e prekur që nuk ishit në sallë?

Ermira Mehmeti: Po, jam ndjerë me faj, jam ndjerë keq. Më kanë lënduar goditjet e opinionit, por kam bërë një punë të jashtëzakonshme që të ndryshoja disponimin dhe votimi lidhur me atë rezolutë. Mendoj se ai votim solli në sipërfaqe një dobësi të shqiptarëve si popull, në kuptimin e ushtrimit të diplomacisë parlamentare, sepse ndoshta sikurse në rezolutën e Dick Marty në momentet e fundit mungoi harmonizimi final përfundimtar, mbi apo ndërshtetëror, për të siguruar një rezultat në favor të Kosovës. Ajo që them pa modesti është se jam angazhuar që në mbështetje të Kosovës, lidhur me atë rezolutë e ato amendamente, të radhiten shumë emra e shtete, që jo gjithmonë i kanë mbajtur anën Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare. Sikurse në rastin e UNESCO-s, unë mendoj se në një situatë të ardhshme ky votim do të jetë në interes të Kosovës dhe rezultati i tij do të jetë i mirëpritur. Ajo që duhet të ndodhë është që një çast më parë diplomacia kosovare të lobojë dhe të sigurojë anëtarësimin e Kosovës në KiE. Pastaj puna e rezolutave do të ecë me një lehtësi më të madhe.

TCH: Cili është komenti juaj për “bombat” e Zaevit?

Ermira Mehmeti: Përgjimet që mbajnë prova për abuzime me pushtetin duhet të zbardhen, të zbulohen dhe të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin të sillen përpara drejtësisë. Në një shtet me traditë më të gjatë demokratike ajo çfarë do të ndodhte natyrshëm do të kishte qenë rënia e qeverisë. Por në një shtet si Maqedonia, që kritikohet për performanca të dobëta demokratike, kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, u futëm në një zinxhir inatesh e aksionesh që prodhuan reaksione dhe për pasojë kriza thellohej. Për fat të keq përgjimet nuk prodhuan efektin e pritur dhe të bëjnë zotin Gruevski, si përgjegjësi kryesor, të reflektojë, të tregojë pak më shumë kapacitete demokratike për një konsensus xhentëllmenësh. Maqedonia është një shtet me të cilin një ekip ekspertësh të KE kanë bërë një raport se si është zhdukur dallimi mes partisë dhe shtetit. Kjo nuk duhet t’i ndodhte një vendi kandidat për anëtarësimin në BE. Kemi një shtet ku shefi i shërbimit sekret nuk ka dhënë asnjëherë llogari para Parlamentit për veprimet, për përgjimet e bëra. Kemi shtet ku kemi dëgjuar nga përgjimet se si janë emëruar gjykatësit dhe kush e si është bërë gjykatës. Janë të gjitha defiçite demokratike që do të duhet kohë që të rekuperohen.

TCH: Është përfolur ekzistenca e një përgjimi për rastin “Monstra”, që nuk është bërë publik nga zoti Zaev. Keni qenë dakord që ky përgjim të publikohej?

Ermira Mehmeti: Më vjen keq që zoti Zaev ka incituar publikisht me dy çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë, “Sopoti” dhe “Monstra”. Ne nuk e dimë se çfarë di zoti Zaev. Ndoshta do të jetë ai dëshmitary kyç në një proces të përsëritur të gjykimit. Nëse ai posedon informata kyçe për të ndryshuar vendimin e gjykatave unë mendoj se kishte për borxh ta thoshte që të procedohej rasti. Për momentin kjo nuk ka ndodhur, ka shumë spekulime mediatike, opinione të ndara mbi atë se çfarë mund të dijë më tepër zoti Zaev. Unë e kam thënë se bëhet fjalë për një vendim kontrovers që ka nxitur pakënaqësi e mllef tek qytetarët që kanë kanalizuar mllefin e tyre ndaj institucioneve të drejtuara nga BDI, që unë mendoj se është një qasje e gabuar. Institucionet e shtetit nuk janë nën kontrollin e BDI, janë të qytetarëve. Gjyqësori duhet të bëjë punën e tij. Në një instancë të fundit “Monstra” do të jetë shembulli më tipik se edhe sa shumë punë kemi ne si shoqëri e shtet për të reformuar gjyqësorin si barazpesha e një shoqërie aq të fragmentuar.

TCH: Cfarë është për ju rasti “Kumanova”?

Ermira Mehmeti: Një konspiracion i pasqaruar deri në fund, që ka krijuar një shije të hidhur tek banorët e Kumanovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ka rikhtyer kujtimet e hidhura të përplasjes me policinë dhe mosbesimi tek ajo. Është një rast për të cilin Prokuroria Speciale duhet të bëjë një hetim të paanshëm, pasi janë vrarë 11 shqiptarë dhe ata familjarë meritojnë të dinë të vërtetën. Shqiptarët e Maqedonisë kanë vuajtur shumë, kanë paguar shumë çmime për të qenit shqiptarë dhe KE në raportin për Maqedoninë kërkon një raport të pavarur për “Kumanovën”, ndoshta sepse edhe nga Kosova nuk ka pasur një kërkesë zyrtare. Por ky rast na kujtoi se nuk duhet shumë për të ndezur zjarrin e urrejtjes. Shumë të panjohura, tragjedi e madhe, humbje në jetë njerëzish dhe një pyetje pa përgjigje: përse vallë?

TCH: Të flasim pak për zgjedhjet e qershorit. BDI është shprehur pro që ato të zhvillohen më 5 qershor. Në një kohë kur kemi amnistinë e presidentit, a ka shanse që të zhvillohen zgjedhje të ndershme?

Ermira Mehmeti: Në rrethanat aktuale nuk mendoj se zgjedhjet e 5 qershorit janë një skenar realist. Presidenti ilegjitim, i zgjedhur pa votat e shqiptarëve, ka bërë një gafë në llojin e tij duke liruar të paktën 56 zyrtarë, përfshirë ish-kryeministrin nga vepra për të cilat ata nuk janë gjykuar ende. Ky është paradoksi i këtij vendimi, sepse ai ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë. Ne nuk jemi të gatshëm si parti që të marrim pjesë në zgjedhje pa konsensus, pa një ambjent demokratik dhe nuk jemi të gatshëm të sakrifikojmë duke marrë pjesë në një proces zgjedhor që nuk mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar.

TCH: Pas gjithë këtyre, mendoni se sërish BDI duhet të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE? Pas ofendimeve e fyerjeve ndaj shqiptarëve, a duhet të bëjë BDI marrëveshje me Gruevskin e Jankulovskën?

Ermira Mehmeti: Unë gjithnjë kam patur kundërshtimet e mia për mënyrën se si ushtrohet koalicioni me VMRO. Pas gjithë kësaj që ka ndodhur edhe VMRO do t’i nënshtrohet një reforme të brendshme. Nuk mendoj se figura si ish-ministrja e Brendshme do të kenë akoma hapësirë për të qenë figura kyçe të pushtetit, pasi ata i ka gjykuar opinioni publik jo vetëm shqiptar, por edhe maqedonasit.

TCH: Në rast se VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet dhe Gruevski e Jankulovska janë në Parlament dhe BDI vendos të bëjë koalicion me ta, ju do ta votoni këtë qeveri?

Ermira Mehmeti: E para nuk e di a do jem deputete në zgjedhjet e ardhshme, nëse mbahen. E dyta, mendoj se para se të vijnë në Parlament ata do të ballafaqohen me gjykatat. Ky është realiteti aktual në Maqedoni dhe mendoj se pikërisht frika nga ky realitet ka prodhuar gjithë këtë krizë që po kalon Maqedonia.

Top Channel