Thaçi takon presidentin e FFK-së

02/05/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Kosovës, një ditë para kongresit të UEFA-s në Budapest, ku do të vendoset pranimi ose jo i Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit.

“Dëshiroj t’iu përgëzoj shumë tashmë kur jemi vetëm në prag të mbajtjes së kongresit të UEFA-s në Budapest. Ju do të jeni aty me mesazhin më optimist, kuptimplotë dhe besimin e fuqishëm se Kosova, pas një izolimi 25-vjeçar, do të jetë pjesë e famijes së futbollit evropian dhe botëror”, deklaroi Thaçi.

Punën e deritashme në këtë drejtim, presidenti Thaçi e vlerësoi si sukses emblematik, ndërsa kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u shpreh optimist në sigurimin e votave të mjaftueshme pro anëtarësimit të Kosovës në UEFA: “Nuk jemi ndalur asnjëherë dhe gjithmonë kemi punuar me mundësitë tona dhe kemi ardhur deri këtu. Ne shpresojmë që do ta kemi shumicën në këtë kongres dhe të hapim rrugë të reja për të rinjtë dhe të rejat tona sepse kemi edhe futbollin e femrave”.

Disa ditë më parë, Kosovën e vizituan zyrtarë të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, me qëllim vlerësimin e aplikimit të palës kosovare për anëtarësim në këto dy organizata të rëndësishme të futbollit.

Top Channel