“Playoff”-et në NBA, Miami dhe Toronto, gjysmëfinalistet e Konferencës së Lindjes

02/05/2016 12:20

Miami Heat dhe Toronto Raptors janë dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste të Konferencës së Lindjes në NBA. Skuadra nga Florida fitoi ndeshjen e shtatë me Charlotte Hornets me rezultatin 106-73, për ta mbyllur serinë e këtyre përballjeve 4-3. Në “American Airlines Arena”, Miami ishte dominues në lojë dhe kjo u duk që në minutat e para të kësaj sfide. E udhëhequr nga Goran Dragic, i cili shënoi 25 pikë në këtë sfidë, Heat e kontrolloi me shumë lehtësi skuadrën kudërshtare, që u shfaq e pafuqishme për të reaguar.

Toronto nga ana e tij mposhti Indiana Pacers në “Air Canada Center” 89-84, për të mbyllur këtë seri ndeshjesh 4-3, gjë që ndodh për herë të parë në historinë e kësaj skuadre. Basketbollisti më i mirë për Raptors ishte De Rozan me 30 pikë të shënuara.

Ndërkohë, në Konferencën e Perëndimit janë zhvilluar ndeshjet e para të gjysmëfinaleve. Golden State Warriors ndoqi shembullin e San Antonio Spurs dhe arriti të fitojë sfidën e parë me Portland Trail Blazers 118-106. Edhe në këtë ndeshje, Golden State ishte pa Stephen Curry dhe ai që mori përsipër të drejtojë këtë skuadër drejt suksesit ishte Klay Thompson, duke e mbyllur sfidën me 37 pikë të shënuara. Paraqitje mjaft të mirë bëri edhe Draymond Green me 23 pikë, 13 topa në tabelë dhe 11 asist. Për Portland, i vetmi që u shpëton kritikave është i zakonshmi Lillard, i cili shënoi 30 pikë.

Top Channel