Trazirat në Irak, kryeministri urdhëron arrestimin e protestuesve shiitë

01/05/2016 00:00

Kryeministri i Irakut, Haider al Abadi, urdhëroi arrestimin e aktivistë myslimanë shiitë që mësynë të shtunën ndërtesën e Parlamentit në Bagdad. Ai e argumentoi vendimin e tij me faktin se kush shkakton dëme e sulmon policinë, duhet të dalë përpara drejtësisë.

Qindra mbështetës të klerikut të fuqishëm shiit, Moktada al Sader, janë duke qëndruar përpara Parlamentit në shenjë proteste ndaj vonesave në aprovimin e një qeverie teknokratësh.

Pas një jave tubimesh, demonstruesit e zemëruar hynë me forcë në zonën e gjelbërt, shtëpi e ambasadave dhe ndërtesave qeveritare. Sistemi irakian i ndarjes së posteve qeveritare është kritikuar prej kohësh si promovues i kandidatëve të pakualifikuar dhe inkurajues i korrupsionit.

Edhe pse ekzekutivi është balancuar me kujdes mes besnikësh partiakë e fetarë, vendi renditet i 161-ti në indeksin e korrupsionit të “Transparency International” me 168 vende gjithsej.

“Ose t’i zhdukin zyrtarët e korruptuar dhe kuotat e mbetura, ose do ta rrëzojmë të gjithë këtë qeveri e s’do të kursyejmë askënd”, tha al Sadr në fjalimin e transmetuar në televizion, pak përpara mësymjes së Parlamentit.

Top Channel