SHBA përpiqet të ndalë dhunën në Siri

01/05/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë me dije se po punojnë për disa iniciativa të ndryshme për të pakësuar luftimet në Siri dhe për të riaktivizuar armëpushimin.

Prioritet është ndalja e gjakderdhjes në Alepo, ku gjatë javës së fundit janë vrarë mbi 200 persona. SHBA kërkon që Rusia të bëjë presion ndaj qeverisë sirianë për të ndalur bombardimet. Por, Moska ngul këmbë se sulmet ajrore në Alepo kanë si objektiv grupet terroriste.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i hodhi poshtë pretendimet ruse dhe siriane se sulmet ajrore në Alepo bëhen kundër frontit Al Nusra që nuk është pjesë e armëpushimit. Kerry aktualisht gjendet në Gjenevë për të diskutuar me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, si dhe ministrat e Jashtëm të Jordanisë dhe Arabisë Saudite.

SHBA ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për situatën përkeqësuar në Alepo ku sulmet ajrore të qeverisë siriane nuk kan të ndalur. Vetë Kerry akuzoi qeverinë e Presidentit Bashar al Asad se ka përkeqësuar konfliktin duke shënjestruar kryesisht civilët.

Zyrtarë amerikanë thanë se po punohet për të ulur tensionet dhe ata shprehën besim se së shpejti mund të ketë progres. Sipas tyre, ndaj Rusisë po ushtrohet presion diplomatik për të ndaluar shkeljet e regjimit sirian, sidomos sulmet pa dallim që bën në Alepo.

Qeveria siriane akuzohet gjithashtu se nuk lejon mbërritjen e ndihmave humanitare në zonat në nevojë. Armëpushimi në Siri hyri në fuqi në shkurt, por që atëherë është shkelur pafundësisht dhe tashmë thuajse nuk ekziston, sidomos në Alepon e ndarë dhe të rrethuar.

Top Channel