Gashi dhe Drogba, sulmuesi kuqezi rivalizon me gola

01/05/2016 00:00

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, vazhdon të përjetojë një formë të mirë në kampionatin amerikan të futbollit, duke u kthyer tashmë në një garanci për listën potenciale të Europianit 2016.

Futbollisti kosovar që bëri një zgjedhje të diskutueshme për t’u transferuar në kampionatin amerikan, pavarësisht kërkesave nga disa ekipe europiane, po përligj atë ccka firmosi përmes golave.

Ish-bomberi i Basel u bë protagonist edhe këtë fundjavë në ndeshjen që skuadra e tij Colorado Rapids, barazoi ndaj pretendentëve të Montreal Impact, një skuadër kanadeze që luan në kampionatin amerikan.

Në këtë përballje spikati gjithashtu sulmuesi i njohur Didier Drogba që i dha avantazhin vendasve, por Gashi barazoi me një nuhatje për t’u vlerësuar, që tifozët shpresojnë do ta ketë edhe në Euro 2016.

Sfida e zhvilluar në Montreal rezervoi dy gola të tjerë në fillim me Tissot dhe më pas me barazimin e Burling. Ky i fundit përfitoi sërish nga një lojë e mirë e Gashit, duke finalizuar në rrjetë krosimin e shqiptarit, pas një neglizhence të mbrojtjes.

Colorado Rapids janë aktualisht në krye të renditjes së Konferencën së Perëndimit në Major League Soccer.

Top Channel