F1, Rosberg “pushton” Rusinë, 4 fitore në 4 gara për gjermanin

01/05/2016 15:45

Niko Rosberg nuk e vuri në asnjë moment në diskutim garën e Rusisë dhe tanimë është padroni i sezonit të ri të Formula 1. 4 gara, 4 fitore për gjermanin e Mercedes, që në Rusi vendosi diktatin, duke fituar “pole position”, garën dhe duke vendosur edhe rekordin e pistës për xhiron më të shpejtë.

Nisi me probleme në fakt Çmimi i Madh i Rusisë, kur që në kthesën e parë piloti rus Daniil Kvyat goditi Sebastian Vettel, i cili u mbajt mirë fillimisht, por në goditjen e dytë që i bëri Kvyat ai doli jashtë piste, duke humbur garën. Bashkë me të nga gara u larguan edhe Hulkenberg e Haryanto.

Me rifillimin e garës Rosberg mori arratinë për të mbajtur vendin e parë, ndërsa pas tij luftën e bëri Hamilton, që në pak xhiro nga vendi i 10 u ngjit në vendin e dytë. Pas ndalesës së parë në bokse pozicionet i këmbyen edhe Bottas me Raikkonen, me ferraristin që u ngjit në vendin e tretë, vend të cilin e mbajti deri në fund.

Pjesa tjetër e garës ishte një simfoni e Mercedes, me Rosberg që udhëhoqi i pashqetësuar, e Hamilton që hera herës krijonte iluzionin se mund t’ja rrëmbente vendin e parë. Për t’u vlerësuar ishte gara shumë e mirë Alonsos, që mbrojti me shumë kujdes vendin e gjashtë.

Në përfundim Rosberg u ngjit për të katërtën herë në këtë sezon në shkallën më të lartë të podiumit dhe të shtatën radhazi nga sezoni i shkuar. Trofeun e triumfatorit Rosberg e mori nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Gjermani me ketë fitore arrin në kuotën e 100 pikëve. 57 për Hamilton që kërkon të mos e humbasë ritmin, ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm është Raikkonen i treti me 43 pikë.

Takimi i radhës me Formula 1 është pas 2 javësh në Çmimin e Madh të Spanjës. 

FOTO GALERI
1/14

Top Channel