“1 Maji” në Kosovë, të rinjtë “e harruar nga shteti dhe të shtypur nga shefat”

01/05/2016 00:00

Kanë qenë afro 50 të rinj, ata që kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në Prishtinë në ditën e punëtorëve, duke marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri para ndërtesës së Qeverisë. Parulla kryesore që mbanin në duar të rinjtë protestues ishte “Të harruar nga shteti, të shtypur nga shefi”.

Përfaqësuesi i të rinjve protestues, Endrit Bytyqi tha se, në Kosovë ka shkelje të vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin privat.

“Ne mendojmë që ligji do të ekzistojë, vetëm atëherë kur të zbatohet. Prandaj mund të themi sot se ligji, edhe pse është në letër, nuk ekziston në praktikë, sepse punëtorëve të sektorit privat u shkelen çdo ditë të drejtat e tyre. Nuk është ideja që shteti i Kosovës të krijojë vende të reja pune, por të krijojë vende pune, ku punëtori kosovar të mundet të sigurojë një mirëqenie për familjen e tij”, tha Endrit Bytyqi, organizator i protestës.

Përfaqësuesit e protestuesve thanë se kishin ftuar edhe sindikatat e punëtorëve të sektorit publik për të protestuar, por pikërisht në këtë ditë, sindikatat kishin organizuar një ekskursion për të pushuar në Shqipëri.

E ndërkohë që këta pak të rinj protestonin në qendër të qytetit, mijëra qytetarë kishin zgjedhur të shëtisnin dhe të qëndronin nëpër parqe, në periferi të Prishtinës.

Top Channel