“Jashtë Obama”, thumbimet më të nxehta të mbrëmjes së presidentit me gazetarët

01/05/2016 00:00

Presidenti Barack Obama zhvilloi komedinë e radhës dhe ndoshta të fundit me fjalë të mprehta, në atë që konsiderohet si mbrëmja e Shtëpisë së Bardhë kushtuar korrespondentëve. Një mbrëmje që përfundoi me fjalët “Obama out” (Jashtë Obama), që u shoqërua me heqjen e mikrofonit dhe të qeshurat pa fund të gazetarëve të pranishëm.

Performanca e së shtunës e Obamës tregoi edhe njëherë se ai nuk ka humbur asnjë çast. “Nëse ky material funksionon mirë, do ta përdor atë te Goldman Sachs vitin e ardhshëm”, thumboi presidenti amerikan. “Më lejoni të fitoj disa kartmonedha 20 dollarëshe”, shtoi më tej ai, duke përmendur emrin e Harriet Tubman, aktivistes së të drejtave civile të lindur nga prindër skllevër, fytyra e së cilës pritet të zëvendësojë figurën e Andreë Jackson në prerjet 20 dollarëshe.

Obama shkaktoi shumë të qeshura me komentet e tij ironike në një sallë vallëzimi të mbushur me gazetarë, politikanë, por edhe yje të kinematografisë dhe televizionit. Kjo e djeshmja ishte dalja e tij e tetë në një ngjarje të tillë, por edhe e fundit për të si president, teksa me shaka foli për dhimbjet e të qenit një person i çalë që duhej të largohej tashmë.

“Javën e kaluar, Princi George u shfaq në takimin tonë me rroba banje – deklaroi Obama. – Gjë që ishte një shuplakë në fytyrë”. Ndërkohë, pati edhe momente kur Obama u shfaq nostalgjik. “8 vite më parë kam thënë se kishte ardhur koha të ndërronim tonin e politikës sonë. Tashmë kam kuptuar se duhej të kisha qenë më specifik në atë që kam deklaruar”. E kështu pranoi se vitet kishin ikur duke bërë të tyren. “Tashmë jam më gri, i thinjur dhe…duke numëruar ditët deri në takimin me vdekjen”.

Në anën tjetër theksoi se vlerësimi ndaj tij është ende i lartë. “Herën e fundit që kam pasur kaq shumë mbështetje – tha ai, – kam qenë duke u përpjekur të marr vendime tepër të rëndësishme”. E kur tha se nuk mundet ta shpjegojë këtë rritje të popullaritetit të tij, dy fotografi të kandidatëve të ngrysur presidencialë u shfaqën në ekranin e sallës së vallëzimit: Donald Trump dhe Ted Cruz.

Obama lëshoi të tjera thumbime sa i përket garës presidenciale, duke theksuar se “vitin e ardhshëm, në po të njëjtin muaj, dikush tjetër do të jetë këtu në këtë vend tepër të nxehtë. Por varet nga mendimi i gjithkujt se kush do të jetë…ajo”. Një referim i qartë këtu për kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Pasi e quajti kandidatin presidencial Bernie Sanders si fytyrën e re të shndritshme të Partisë Demokratike, Obama përplasi në kontrast të thellë dy slogane: “Feel the Bern” dhe “Trudge Up the Hill”.

Republikanët ishin në shënjestër të shumicës së “baterive” humoristike të Obamës. “Kur të ftuarit u pyetën se çfarë dëshironin, biftek apo peshk –  tha ai mes të ftuarve në mbrëmje, – një pjesë e madhe e tyre shkruajtën në përgjigjen e tyre Paul Ryan”. Sa i përket biznesmenit miliarder dhe manjatit të pasurive të paluajtshme, kryesuesi i garës republikane Donald Trump, ai tha: Ai ka shpenzuar vite e vite të tëra takimesh me udhëheqës nga e gjithë bota. Është takuar me Miss Suedinë, Miss Argjentinën, Miss Azerbajxhanin…”.

Duke u kthyer nga humori në seriozitet, Presidenti Obama falënderoi trupën mediatike të Shtëpisë së Bardhë dhe lavdëroi median e lirë. Në fund të mbrëmjes u ndanë edhe çmime gazetarie dhe raportimi. E konkretisht fituan:
Carol Lee nga “Wall Street Journal”, fitues i “Aldo Beckman Memorial Award” për përsosmërinë e mbulimit të ngjarjeve në Shtëpinë e Bardhë.
Matt Viser nga “Boston Globe”, fitues i “Merriman Smith Award” për mbulimin e jashtëzakonshëm të ngjarjeve në Shtëpinë e Bardhë nën presionin e afateve kohore.
Norah O’Donnell nga “CBS News”, fituese e “Merriman Smith Award” për gazetari transmetimi.
Terrence McCoy nga “The Washington Post” por edhe Neela Banerjee, John Cushman Jr., David Hasemyer dhe Lisa Song nga “InsideClimate”, fitues të “Edgar A. Poe award”, që njeh përsosmërinë e mbulimit të ngjarjeve ose çështjeve investigative të interesit kombëtar apo rajonal.

Top Channel