Barca, Atletico, Real në sprintin e fundit

30/04/2016 00:00

Fillimisht Reali e më pas Atletico shijuan për pak çaste vendin e parë në La Liga, deri në momentin e fërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit të takimit në sfidën mes Betisit dhe Barcelonës.

Katalanasit iu përgjigjen me dy gola fitoreve minimale të Atletikos dhe Realit, përkatësisht me Vallecanon dhe Real Sociedadin.

Ai që zhbllokoi rezultatin ishte Rakitic, në minutat e para të pjesës së dytë, ndërsa në minutat e fundit, Suarez vulos tre pikët e kryesimit dhe ndoshta edhe këpucën e artë këtë sezon në Spanjë, duke qenë se ndjekësi i tij, Ronaldo vuan nga një dëmtim.

Në këtë ndeshje, Lionel Messi nuk gjeti dot personalisht rrugën e rrjetës, por ishte ai që dha pasat finale në të dy golat e skuadrës së Luis Enriques.

La Liga mbetet i vetmi kampionat në Europë ku në garën për titull janë të përfshira tre skuadra. Kur kanë mbetur dy javë nga fundi, Barcelona e Atletiko kanë nga 85 pikë dhe menjëherë poshtë tyre, me shpresën e një gafe të dyfishtë renditet Reali i Zidane me një pikë më pak.

Top Channel