Sërish incident ajror mes Rusisë dhe SHBA

30/04/2016 00:00

Një tjeter incident ajror ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ka ngjallur një erë të fortë reagimesh.

Pentagoni njofton se avioni rus SU-27 ka fluturuar mbi ujërat e Detit Balltik  dhe ka provokuar avionin amerikan RC-135 , i cili  ka qenë duke kryer një fluturim rutinë.

Sikurse e thekson Pentagoni, avioni rus në mënyrë aspak profesionale i është afruar atij amerikan në një distancë shumë të afërt prej 7.5 metrash, por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se çdo manovër është bërë nga një distancë e sigurtë.

Incidenti i fundit pason një sërë shqetësimesh të raportuara herë pas here nga Uashingtoni. Vetëm një javë më parë në Detin Balltik ndodhi një tjeter incident në të cilin Pentagoni pretendon se një avion rus ka provokuar një anije luftarake amerikane duke sjellë shqetësime serioze sigurie. 

Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së janë përshkallëzuar  në mënyrë të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit, që nga aneksimi që Rusia i bëri Krimesë , duke ndarë raportet mes Lindjes dhe Perëndimit.

Për analistët, incidentet e fundit janë një paralajmërim  që Moska bën herë pas here se zoteron një fuqi të madhe ushtarake, por se një përsëritje e incidenteve të tilla , qoftë të qëllimshme ose të rastësishme, është vetëm një çështje kohe për një përplasje midis dy fuqive të mëdha ushtarake të botës.

Top Channel