Skënderbeu vs Partizani, hap kampioni në distancë

30/04/2016 00:00

Partizani dhe Skënderbeu nuk lëshojnë pe. Dy skuadrat që garojnë për titullin kampion këtë sezon shkatërruan në javën e 32-të rivalët përkatës.

Kryeqytetasit fituan në Tiranë me rezultatin 4-0 ndaj Tërbunit, ndërkohë që korçarët mposhtën në fushën e tyre Bylisin.

Me dy fitoret respektive, renditja për kreun e Kategorisë Superiore nuk ndryshon. Skënderbeu kryeson me 72 pikë, ndërsa Partizani ndjek me 70. Javën e ardhshme, korçarët do të presin Laçin, ndërsa në kryeqytet luhet derbi i Shqipërisë, Tirana-Partizani.

Në ndeshjet e tjera, pas tri humbjeve radhazi, Laçi është kthyer tek fitorja dhe këtë e ka bërë në shtëpi në sfidën përballë Vllaznisë. Shkodranët kaluan të parët në avantazh me Markun në minutën e 15-të, por kurbinasit reagun 7 minuta më vonë me Nimanin. Cetkovic në minutën e 29-të vulos rezultatin 2-1 të pjesës së parë.

Në të dytën Nimani gjen sërish rrjetën, ndërsa në minutat e fundit, goli i Pjeshkës shërben vetëm për statistikë për shkodranët.

Tri pikët e marra largojnë kurbinasit nga ujrat e turbullta të fundit të tabelës, duke lënë në këtë vallë katër javë nga fundi i kampionatit, Vllazninë dhe Flamurtarin.

Top Channel