Kinë-Japoni, dialog për përmirësimin e marrëdhënieve

30/04/2016 08:40

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi dhe homologu i tij japonez Fumio Kishida janë takuar këtë të shtunë në Pekin për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe.

Në hapje të takimit, ministri Wang theksoi se, marrëdhëniet Kinë-Japoni duhet të bazohen tek respekti për historinë, angazhimi për mirëbesim dhe tek bashkëpunimi, më shumë sesa tek konfrontimi.

Kina dhe Japonia janë vende fqinje, u shpreh Wang, duke shprehur vullnetin e Pekinit për të zhvilluar një lidhje të shëndetshme dhe të qëndrueshme me Tokion.

“Shpresojmë që vizita juaj të luajë një rol pozitiv në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe”, i tha shefi i diplomacisë kineze homologut.

“Marrëdhëniet Kinë-Japoni kanë pësuar luhatje në vitet e fundit, për shkak të arsyeve që qeveria japoneze i njeh mirë”, tha Wang.

Ministri kinez u shpreh i gatshëm të dëgjonte opinionin e homologut për mënyrën se si palët të përmirësojnë marrëdhëniet, si dhe i gatshëm që nga fjalët të kalohet në marrëveshje.

Nga ana tjetër, ministri Kishida do të qëndrojë në Pekin deri të dielën, duke shënuar kështu vizitën e parë që nga marrja e detyrës tre vjet më parë dhe të parën të një ministri të Jashtëm japonez në 4 vjet e gjysmë.

Top Channel