Ndarja nga jeta e Prince, sa shumë dyshime për shkakun

29/04/2016 00:00

Këngëtari Prince ishte enigmatik në jetë dhe, një javë pasi u gjet pa ndjenja në një ashensor në shtëpinë e tij, rrethanat e vdekjes së tij ende nuk janë krejtësisht të qarta.

Por, informacioni i ri që ka dalë në dritë është se, nga rezidenca 10 milionë dollarëshe, ku jetonte Prince, numri i emergjencës 911 është telefonuar 4 herë. Midis vitit 2013 dhe vdekjes së tij më 21 prill, 4 thirrjet emergjente për ndihmë mjekësore janë bërë nga shtëpia e Prince.

Mjekët i janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë më 23 tetor 2013, 9 gusht 2015, 6 shtator 2015 dhe natyrisht më 21 prill 2016, ditën kur ai fatkeqësisht ndërroi jetë.

Por mediat ende nuk kanë marrë një përgjigje, se ku konsistonin problemet shëndetësore të ikonës së muzikës. Hetuesit janë në pritje të rezultateve të autopsisë dhe testimit toksikologjik, për të përcaktuar arsyen përse ndërroi jetë ai.

Raportet e fundit flasin edhe për një sasi lëndësh narkotike të gjetura në banesën e tij, duke ngritur një hije të fortë dyshimi nëse ai ka vdekur si pasojë e mbidozës. Të tjerë zëra thonë se, Prince ishte diagnostikuar me sidë, çfarë i solli edhe vdekjen e parakohshme.

Por duke pasur parasysh jetën shumë private që ai jetonte, me pak njerëz pranë, hetimi për autoritetet po nxjerr çdo ditë edhe më shumë vëshirësi për të zbardhur provën e së vërtetës.

Top Channel