Guardiola pret titullin, praps kritikat

29/04/2016 00:00

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola, nxori të gjithë inatin e akumuluar me kritikët pas humbjes minimale ndaj Atletikos së Madridit në Champions, ndërsa i kujtoi të gjithë skeptikëve se kanë ende një ndeshje për të rikuperuar gjithçka.

Në vigjiljen e përballjes ndaj Borusia Mynshengladbah që mund t’i dhurojë titullin e tretë radhazi, tekniku spanjoll foli edhe për shansin e fundit që të fitojë Champions, në sezonin final në Bavari.
 
“Pas ndeshjes së parë në Madrid më vrau çdokush prej jush, por mos më quani ende të vdekur. Kemi ende një sfidë për të luajtur më pas mund ta bëni”, tha Guardiola me një ton ironik, por fjalë të forta që përmbledhin të gjithë mllefin e akumuluar për disfatën 1-0 në “Vicente Calderon”.
 
Kritika parësore ndaj Guardiolës për humbjen me madrilenët ishte zgjedhja për të lënë jashtë formacionit Tomas Myler por kjo u mbrojt me forcë nga tekniku iberik.

“Në Lisbonë lashtë Levandovskin në pankinë por meqë u kualifikuam nuk ndodhi asgjë. Ishte një zgjedhje taktike dhe nuk doja të kisha fundin e sezonit të kaluar në Barcelonë, duke luajtur me dy sulmues qendror. Nuk kam asgjë kundër Myler, madje e adhuroj për nuhatjen e golit”, tha Guardiola.

Për të, “Maistershale” mund të fitojë këtë të shtunë në rast të  suksesit kundër Mynshengladbah. “Do të ishte mirë që para Champions, të fitonim Bundesligën por nëse nuk ia arrijmë, kjo nuk do të ndikojë në kthimin ndaj Atletikos. Jam i lumtur dhe plot energji”, tha Guardiola i cili mungoi të thoshte se kishte gjithashtu doza të larta nervozizmi.

Top Channel