De Maiziere, asnjë shpresë për refugjatët: Rruga ballkanike s’duhet të hapet më

29/04/2016 00:00

Rruga ballkanike duhet të qëndrojë e mbyllur, deklaroi ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere. Pa e fshehur shqetësimin se, më shumë emigrantë do të përpiqen të hyjnë në Europë nga Mesdheu, zyrtari i lartë këmbënguli se itinerari i vjetër nuk duhet ripërtërirë më.

Fluksi i klandestinëve në det është frenuar disi nga patrullimet e NATO-s dhe marrëveshja BE-Turqi, por kjo situatë shton – nga ana tjetër – mundësinë e një rishfaqjeje të anijeve me emigrantë të nisura nga brigjet libiane drejt Italisë.

“Rruga ballkanike, tashmë është e qartë se i përket së shkuarës dhe nuk duhet, e as nuk ka për të qenë më një mundësi për kalimin e refugjatëve në Gjermani e Austri, apo në qendër të Europës”, tha Thomas de Maiziere, minister i Brendshëm i Gjermanisë.

Mbi 1.200 vetë kanë humbur jetën deri tani këtë vit, në përpjekje për të mbërritur Europën nga deti. Më shumë se gjysma e tyre, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin “IOM”, janë mbytur në ujërat e Mesdheut.

Nisur nga kjo situatë, De Maiziere mbështeti idenë e homologut të tij austriak, Wolfgang Sobotka, se me rrezikun e ripërtëritjes së rrugës Libi-Itali, kjo e fundit duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e kufirit të saj detar jugor.

Top Channel