Norvegji, rrëzohet helikopteri i “Eurocopter”, 13 viktima

29/04/2016 00:00

Plot 13 persona janë gjetur të vdekur, pasi një helikopter u rrëzua në Perëndim të qytetit norvegjez të Bergenit. Nga këta në bord, 11 ishin norvegjezë, njëri ishte britanik dhe i fundit italian.

Pamjet nga vendngjarja shfaqën momentet e para të tymit nga një zonë ishujsh shkëmborë. Helikopteri, siç thonë ekipet e kërkim-shpëtimit, është shkatërruar tërësisht. Ai ishte nisur nga fusha e naftës në Gullfaks, e kishte për destinacion Bergenin, një prej qendrave të industrisë së naftës dhe gazit natyror në Detin e Veriut.

Kompania e naftës “Statoil”, e cila bëri të ditur se helikopteri ishte ngarkuar me detyrë prej saj, ka ulur përkohësisht të gjithë mjetet fluturuese të këtij lloji, pikërisht të tipit “EC 225 Super Puma” nga “Eurocopter”. Helikopteri ka rënë shumë pranë ishullit të vogël Turoey, në Perëndim të fshatit Solsvik.

Zëdhënësi i policisë, Morten Kronen tha se, një operacion masiv me përfshirjen e zjarrfikësve, zhytësve dhe punonjësve të spitaleve, ishte ende në fuqi në kërkim të dy personave të pagjetur.

Dëshmitarë të ngjarjes raportuan se helikat e helikopterit pësuan defekt ndaj dhe mjeti fluturues ra. “Pati një shpërthim dhe një zhurmë karakteristike motori, ndaj dhe unë mbylla dritaren. Pash helikopterin që po binte me shpejtësi në det, më pas vura re një tjetër shpërthim edhe më të madh”, tha një qytetar i zonës.

Sipas medieve lokale, helikopteri humbi 640 metra lartësi në 10 sekonda, përpara se të përplasej në ujë. Disa prej mbetjeve të tij janë gjetur në ishull, ndërsa të tjera pjesë janë shpërndarë në det. Të gjithë pasagjerët e helikopterit ishin punonjës të “Statoil”.

Top Channel