Përleshje mbështetës-kundërshtarë për Trumpin në Kaliforni

29/04/2016 00:00

Me qindra demonstrues bllokuan trafikun përpara një ndërtese në kontenë Orange të Kalifornisë, ku Donald Trump zhvillonte një tubim elektoral.

Turma e zemëruar i theu xhamat një makine të policisë në zonë, pikërisht në kohën kur kryesuesi i garës për nominim në kampin republikan iu drejtua simpatizantëve të tij.

Jashtë sallës, kundërshtarë e mbështetës të Trumpit përlesheshin mes tyre dhe policia, që ndërhyri për të ndarë grupet, në fund prangosi 20 vetë.

Manjati njujorkez është zotuar të deportojë emigrantët e paligjshëm, nëse zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara në muajin nëntor, e në disa pjesë të Kalifornisë, pakënaqësia ndaj tij është e madhe, sidomos mes latinëve.

Shteti, i konsideruar si trofeu më i madh i kandidatëve republikanë në garën për nominim, i mban parapraket e saj më 7 qershor. Përplasjet mes grupeve ishin fillimisht verbale. Përkrahësit e Trumpit thërrisnin me të madhe “Ndërtoje atë mur”, duke iu referuar barrierës që miliarderi premton të ngrejë në kufirin me Meksikën.

Incidente të tilla nuk kanë qenë të pazakonta për fushatën e Trumpit, teksa episode të forta dhune pati edhe në Chicago më 11 mars, ku për këtë arsye tubimi u anulua.

Top Channel