Mbyllet edicioni i 8 i “PriFilmFest”

29/04/2016 00:00

Në natën e fundit të edicionit të 8 të Festivalit ndërkombëtar të Filmit, “PriFilmFest” shfaqi në Prishtinë premierën rajonale të filmit gjerman “Frauen”, apo “Gratë”.

Një ndër rolet kryesore në të e interpreton aktori nga Tetova, Blerim Destani, tashmë i njohur në kinematografinë gjermane dhe të vendeve të tjera.

Këtë film, aktori Destani e ka vlerësuar si një ndër eksperiencat më të veçanta, pasi 60% të skenave janë filmuar në makinë.

Duke folur në ditën e fundit të zhvillimit të “PriFilmFest”, Blerim Destani bëri publik planin për një projekt shqiptar, që shpreson të realizohet shpejt.

“Kam kontaktuar me disa regjisorë të huaj për një projekt të madh kombëtar, që do të xhirohet në Kosovë dhe Shqipëri. Natyrisht që ekipi do të jetë 100% shqiptar, pasi edhe tema është shqiptare”, tha Blerim Destani, aktor.

Në kuadër të festivalit u shfaq edhe filmi spanjoll “10.000 km”, me aktoren e njohur për rolin e Oshas në serialin e famshëm “Game of Thrones”, Natalie Tena.

Filmi ka bashkuar aktoren Tena me komedianin e njohur spanjoll, David Verdaguer, dhe trajton lidhjen e këtij çifti, që prej një viti jetojnë në kontinente të ndryshme. Të gjendur në këtë situatë, ata mbështesin lidhjen në komunikimin virtual, por teknologjia – që ka sjellë botën më afër, – ata vetëm sa i largon.

Për të prezantuar këtë film, në Kosovë ishin të pranishëm regjisori Carlos Marques-Marcet, aktori David Verdaguer dhe producenti Sergi Moreno, të cilët shpalosën detaje rreth realizimit të projektit. Në kuadër të “PriFilmFest”, për një javë janë shfaqur mbi 70 filma, në mesin e të cilëve mbi 50 pjesëmarrës, në garën që vlerësohet nga 6 juri të kategorive të ndryshme.

Top Channel