Flaka olimpike në selinë e Kombeve të Bashkuara

29/04/2016 00:00

Flaka olimpike ka bërë një ndalesë në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si pjesë e ceremonisë përkujtimore për Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillimi e Paqe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon theksoi se ky pishtar është një simbol i bashkimit të popujve në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, Ban Ki Moon falënderoi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që krijoi mundësinë e pjesëmarrjes së një skuadre refugjatësh në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros.

“Flaka olimpike është një shenjë e solidaritetit me popujt e të gjithë botës dhe këtë vit IOC ndërmori një hap të jashtëzakonshëm duke përfshirë në këtë edicion të Olimpikeve edhe një skuadër me refugjatë. Për herë të parë në histori, sportistë të talentuar që kanë qenë të detyruar të lënë vendet e tyre do të kenë shansin për të konkurruar e për të fituar medalje. E gjithë bota do t’i shohë refugjatë siç e meritojnë ata; si persona të talentuar, të fortë dhe frymëzues”, tha Ban Ki Moon.

Ndërsa presidenti i IOC, Tomas Bah në mesazhin e tij vuri në dukje se organizmi që ai drejton dhe OKB ndajnë të njëjtat vlera; tolerancën, solidaritetin dhe paqen.

Top Channel