“Xhamitë, nën mbikëqyrje”

29/04/2016 11:50

Njëri prej ligjvënësve konservatorë më në zë në Gjermani, Volker Kauder, kërkoi që xhamitë të vihen nën mbikëqyrjen e autoriteteve, edhe pse nga ana tjetër e distancoi veten prej thirrjeve të Bavarisë që imamët të flasin gjermanisht.

Sipas Kauderit, predikimet në disa prej këtyre objekteve të kultit nuk i përmbahen rregullave të shtetit laik gjerman. Gjermania, tha ai për “Berliner Zeitung”, u krijua si vend laik, ku feja nuk qëndron mbi shtetin, por shteti mbi fenë.

Kryetari i grupit parlamentar konservator në Bundestag kujtoi se me këtë normë duhet të pajtohen të gjithë, por në disa xhami ka ndodhur e kundërta, ndaj, për Kauderin, duhet të ketë ndërhyrje e duhet të ketë vëzhgim.

Komentet e anëtarit të partisë së Angela Merkelit (CDU) vijnë në vigjiljen e kongresit të partisë populiste të ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, që mbahet në Shtutgart këtë fundjavë. AFD-ja ka hartuar me këtë rast një manifest antiislamik. Konservatorët janë shfaqur gjithmonë e më të bindur këto vitet e fundit se përkrah krishtërimit e judaizmit, edhe islami është pjesë e Gjermaninë që strehon rreth 4 milionë myslimanë.

Por Kauder thekson se ligjet janë njësoj për të gjithë. Në vendet islamike mbase është ndryshe, u shpreh ai, por këtu në Gjermani, rregullat i bën shteti.

Top Channel