Mbledhja e dy qeverive, më 3 qershor

29/04/2016 10:20

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar se, në konsultim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë vendosur zhvillimin e mbledhjes së radhës të dy qeverive, ndërsa axhenda e saj pritet të harmonizohet gjatë javëve në vijim.

“Ne kemi harmonizuar periudhën, e kemi rënë dakord që kjo mbledhje të mbahet më 3 qershor në Prishtinë. Orientimi është që të mbahet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, ndaj dhe po punohet që të rregullohen ambientet e saj për këtë mbledhje”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mustafa i ftoi ministrat, që t’i përfundojnë deri javën e ardhshme raportet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe të paraqesin propozime për marrëveshje të reja.

Për mbledhjen e dy qeverive u diskutua edhe në takimin, që Presidenti Hashim Thaçi pati mëngjesin e së premtes me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

“Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri do të rritet, do të forcohet si në nivel kombëtar, edhe në nivel ndërshtetëror”, tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Ambasadori Minxhozi tha se, mbledhjet e përbashkëta po forcojnë bashkëpunimin institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Gjeta mirëkuptim të plotë për të gjitha temat që diskutuam, për një thellim të vazhdueshëm të një bashkëpunimi institucional, të një bashkëpunimi shpirtëror, që si Shqipëria edhe Kosova të jenë pjesë e familjes europiane, nëpërmjet reformave që qeveritë e të dy vendeve tona kanë ndërmarrë”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Kabinetet qeveritare të Kosovës dhe Shqipërisë janë takuar dy herë, fillimisht në Prizren dhe më pas në Tiranë, ku janë arritur disa marrëveshje ndërshtetërore, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë.

Top Channel