SHBA, Boehner nuk e kursen Cruzin: Kam punuar me një bir k****

28/06/2016 00:00

Ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, John Boehner e ka quajtur “djall në vetvete” kandidatin republikan për president, Ted Cruz, njëkohësisht senator i Teksasit, teksa ka shtuar se nuk do të votojë aspak për të nëse do të fitojë nominimin e kësaj partie për zgjedhjet e nëntorit në Amerikë.

Në fakt, grindja mes këtyre dy figurave i ka rrënjët e thella, pikërisht në kohën kur Cruz udhëhoqi një grup konservatorësh të linjës së ashpër për të detyruar “mbylljen” e përkohshme të qeverisë në vitin 2013, pikërisht kundër udhëheqësisë së Partisë Republikane.

Ndryshe nga konsiderata që ka për senatorin nga Teksasi, ish-republikani Boehner e përshkroi Donald Trumpin si një “mik” të paktën me fjalë, me të cilin dikur ka luajtur edhe golf për vite të tëra, për të cilin do të ishte i gatshëm ta votonte nëse miliarderi do të ishte kandidatura e republikanëve në zgjedhjet presidenciale.

Manjati i pasurive të paluajtshme është pretendent në garën për nominimin republikan, pikërisht përpara Cruzit, por duke ditur se ky i fundit dhe kandidati tjetër John Casich kanë bërë një pakt për të mos lejuar sigurimin nga ana e Trump të 1237 delegatëve, aq sa ç’është numri “i shenjtë” për t’u shpallur kandidat pa pasur nevojën e zhvillimeve të Konventës partiake të korrikut të këtij viti.

Senatori i Teksasit shihet nga shumë republikanë si mundësia e vetme për t’i mohuar Trumpit këtë sasi delegatësh dhe superdelegatësh, e rrjedhimisht edhe nominimin e tij për kandidat të republikanëve kundër asaj që shihet tashmë si kandidate e demokratëve, Hillary Clinton. Megjithatë, disa të tjerë, pavarësisht pakënaqësive që mund të kenë me Trumpin, e konsiderojnë Cruzin si një figurë përçarëse.

Boehner, i cili ka qenë figura më e fuqishme republikane në politikën amerikane, të paktën deri kur dha dorëheqjen në tetor të vitit të kaluar, përdori një gjuhë të ashpër kur foli për Cruzin gjatë një bisedimi në Universitetin “Stanford”.

“Unë kam miq demokratë, sikurse edhe republikanë. Flas me të gjithë dhe përshtatem lehtë me ta, por kurrë nuk kam punuar ndonjëherë me një bir k**** si ky i Teksasit në jetën time”, tha ai. Cruz akuzohet si politikani që pati rolin më të madh në mbylljen e qeverisë federale në vitin 2013, kur Boehner ishte pikërisht kreu i Dhomës së Përfaqësuesve. Cruz konsiderohet gjithashtu si një politikan agresiv, që e radhit veten si një politikan kundër udhëheqësisë së vjetër partiake.

Kundërpërgjigjja e tij, gjithsesi nuk mungoi. Përmes një statusi në rrjetin social Twitter, ai shkroi se “Më thuaj edhe njëherë se kush do të kandidojë për Uashingtonin? Trump, i cili është miku në letër dhe në golf i Boehnerit, apo Carly dhe unë?”, tha ai duke iu referuar Carly Fiorinas, e përzgjedhura e tij për zëvendëspresidente në një rast të mundshëm kandidimi.

Top Channel