Në ciklin e klasikëve në opera vjen në skenë për herë të parë në Shqipëri simfonia koncerertore e Joseph Haydn. Në të variacioni solistik gërshetohet me lojën e orkestrës.

Katër instrumentistët solistë të këtij koncerti, violinë, oboe, fagotë dhe violinçelë, edhe pse në pamje të parë duken si të pazakontë, gjeniu Haydn, i sjell një gërshetim perfekt.

“Vepra është shumë e bukur, mjaft tërheqëse nga pikëpamja kompezitive, gjenialiteti i tij sepse ai ka gjetur momentin e duhur, tingujt e duhur, notat e duhura që çdo njëri nga instrumentistët solistë të pjesës të shpreh jo vetëm karakterin e tij dhe të instrumentit që luan, por edhe të lidhet në mënyrë të natyrshme me gjithçka e rrethon”, thotë Fatos Bardulla, instrumentist violinë.

Nuk ndodh shpesh të shohim fagot solist në Teatrin e Operas, por gjatë provave tingulli I tij krijonte një atmosferë intime.

“Ka pyetje-përgjigje, herë përgjigjet fagoti me oboan, herë përgjigjet violina me çelon. Vetë fagoti është një instrument orkestral, por jo që nuk është instrument solistik, por edhe te kjo vepër vjen në rolin e solistit, ndryshe nga ç’mund të luhej me orkestër”, deklaroi Orges Malaj, instrumentist fagot.

Harmoni dhe një linjë melodike e pastër nga Mozart dhe Haydn, me në qendër instrumentistët të shoqëruar nga orkestra. Kjo do të jetë edhe premiera përmbyllëse nga cikli i klasikëve më 29 prill në Teatrin e Operas.

Top Channel