Kosovë, deputeti i dyshuar Azem Syla mund të jetë në Shqipëri

28/06/2016 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i cili po kërkohet nga Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, si i dyshuar kryesor i grupit kriminal prej 51 personash, ende nuk është kthyer në Kosovë.

Dy ditë para se policia të ndërmerrte aksion për bastisjen e shtëpive të Sylës dhe personave të tjerë, të dyshuar për tjetërsim të pronave publike, ai është larguar drejt Shqipërisë.

Top Channel ka mësuar se, Policia e Kosovës nuk ka kërkuar ende nga Policia në Shqipëri që të kërkojë për vendndodhjen apo arrestimin e deputetit Azem Syla, ndërsa avokati i tij Tomë Gashi tha se, klienti i tij ka folur me policinë në telefon dhe u ka premtuar se do të kthehet së shpejti.

“Unë di që Azem Syla nuk është në Kosovë. Dje kam biseduar disa herë në telefon me të. Ai ka premtuar se do të kthehet shumë shpejt. Mund të jetë edhe në Shqipëri, mirëpo unë nuk i kam kërkuar të di vendndodhjen e tij. Unë besoj se burrat seriozë, nëse japin fjalën se do të kthehen sa më shpejt që është e mundshme për t’u ballafaquar me këto akuza të prokurorit të EULEX-it, atëherë ai duhet ta mbajë fjalën e tij. Të vijë dhe të japë shpjegime për atë që kërkon prokurori”, tha Tomë Gashi, avokat i Azem Sylës.

Avokati Tomë Gashi tha se, ky rast kundër krimit të organizuar është duke u hetuar që nga viti 2014 dhe – sipas tij, – EULEX po përpiqet që nëpërmjet këtij rasti të vazhdojë mandatin, i cili i skadon në qershor.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të enjten pasdite që 6 të arrestuarit gjatë aksionit të një dite më parë, në 42 vendndodhje të ndryshme, të mbahen në paraburgim për 30 ditë.

Top Channel