Rusia lëshon raketën e parë nga kozmodromi i Vostochnyt

28/06/2016 00:00

Rusia lëshoi të parën raketë prej kozmodromit të ri gjatë kësaj të enjteje, vetëm një ditë pasi një problem teknik detyroi shtyrjen e kësaj ngjarjeje, gjë që u pa si shenjë e një krize të vazhdueshme në industrinë e këtij vendi kushtuar hapësirës ajrore.

Një raketë “Soyuz-2.1A”, e pakomanduar dhe që mbante 3 satelitë, u lëshua në qiell nga ambientet e kozmodromit “Vostochny”, drejt një rajoni të largët të quajtur Amur, pranë kufirit me Kinën, që sipas televizionit shtetëror raportohet të ketë ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit me orën lokale.

Satelitët u ndanë nga faza e tretë e raketës rreth 9 minuta pas fluturimit dhe vijuan për në orbitë sipas drejtimit të parashikuar, bëhet e ditur nga agjencitë ruse të lajmeve, që citojnë zyrtarë nga Agjencia ruse e Hapësirës “Roscosmos”.

Lëshimi i një dite më parë u anulua vetëm dy minuta përpara ndodhisë, duke irrituar së tepërmi Presidentin Vladimir Putin. Ai kishte udhëtuar mijëra kilometra për të parë, atë që media ruse dhe zyrtarë të tjerë e quajtën si ngjarje historike.

“Dua t’iu përgëzoj. Kjo është diçka për të cilën duhet të ndihemi krenarë”, u tha Putin punonjësve të kozmodromit dhe zyrtarëve të “Roscosmos”, pasi pa me sukses ngjarjen e së enjtes në Vostochny. “Në parim ne duhej ta kishim bërë këtë lëshim një ditë më parë, por pajisja mori hov të tepërt dhe për pasojë u ndal lëshimi. Kjo është gjithsesi diçka normale”.

Deklaratat e sotme të tij bien ndesh në fakt me fjalët e ashpra të lëshuara dje, pas dështimit të lëshimit të raketës, kur ai kritikoi zyrtarët e “Roscosmos”-it dhe ata qeveritarë për numrin e lartë të problemeve teknike në industrinë e hapësirës, duke thënë se “duhet pasur një reagim në përputhshmëri të plotë”.

Top Channel