Valbuena sërish në telashe

28/04/2016 00:00

Problemet duket se nuk kanë fund për Mathieu Valbuena. Mesfushori i Lionit, pas përjashtimit të Benzema nga Euro 2016, është në tension të madh për shkak të presionit të shumë tifozëve që e cilësojnë atë si fajtorin kryesor për mungesën e sulmuesit të Realit të Madridit në Europian.

Ky tension u duk edhe javën e kaluar në aeroportin e Toulouse. Sipas asaj që publikohet te “France Football”, Valbuena sulmoi një person teksa ky ishte duke e filmuar me telefonin e tij, ndërsa futbollisti kalonte në aeroport së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.

Sipas versionit të këtij personi që e denoncoi Valbuenën, ky i fundit shkoi në drejtim të tij për ta fyer duke tentuar ta godasë. Më pas i mori telefonin dhe ia shkatërroi duke e hedhur me forcë në tokë.

Gjithnjë sipas personit të sulmuar, agjentë të sigurisë në aeroport ndërhynë së bashku me futbollistët e tjerë të Lionit për të qetësuar Valbuenën.

Top Channel