Thaçi: Tensioni politik në Kosovë, i tejkaluar

28/04/2016 14:05

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar qetësinë politike të krijuar pas ndaljes së protestave dhe gazit lotësjellës. Në një takim me përfaqësues të Aleancës Kosovare të Bizneseve, presidenti ka inkurajuar vazhdimin e dialogut mes partive për të dalë nga kriza.

“Ato situata të pakëndshme politike vlerësoj se janë të tejkaluara. Tani kemi të bëjmë me një komunikim normal të lidershipit të partive politike në Kosovë dhe të bartësve të institucioneve të vendit”, ka thënë Thaçi.

Por pavarësisht qetësisë së krijuar në Kuvend me bojkotimin e opozitës, koalicioni qeveritar edhe pse i ka dy të tretat e deputetëve, të enjten pati vështirësi të krijojë kuorum dhe kjo e ka shtyrë kryeparlamentarin Kadri Veseli që ta ftojë opozitën të kthehet në Kuvend.

“S’kemi kuorum, 52 deputetë janë në sallë. Shpresojmë të vijnë, në orën 10 fillojmë. E përshëndesim opozitën me 52 deputetë. Nuk kanë pasur nevojë të hedhin të shkretin gaz lotësjellës fare”, ka thënë Veseli.

Në seancën e së enjtes deputetët kosovarë kanë shqyrtuar raportin e Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale dhe kanë votuar disa anëtarë nëpër bordet e agjencive të pavarura.

Top Channel