Dieta e Messit: Fruta dhe perime, asnjë ëmbëlsirë

28/04/2016 14:00

Për një sportist, mënyra e të ushqyerit është një prej gjërave më të rëndësishme. Ai që e shpjegon më mirë këtë aspekt është mjeku italian Giuliano Poser, i cili në një intervistë për “El Mundo Deportivo” zbuloi dietën e yllit të Barcelonës, Lionel Messi.

“Uji, vaji i mirë i ullirit, drithërat, frutat e freskëta dhe perimet bio janë disa nga produktet që ndihmojnë një sportist. Ai që dëmton më shumë është sheqeri. Sheqeri është armiku më i rrezikshëm për muskujt. Edhe miellërat e rafinuar janë një problem i madh, kjo sepse sot është e vështirë të gjesh drithëra që nuk janë bërë më parë me pesticide”, tha Poser.

Por jo vetëm kaq. Poser e ka këshilluar Messin edhe për një përdorim të reduktuar të kripës, për të cilën gjithsesi trupi dhe muskujt kanë nevojë. Poser foli edhe për konsumin e mishit nga Messi, që është më i ulët nga sa ndodh zakonisht me popullsinë amerikanolatine.

Megjithatë, sipas Poser, vetëm dieta nuk mjafton për të zgjidhur problemet me shëndetin. Mjeku italian shtoi se është e nevojshme që të përdoren medikamente natyrale dhe pak kineziologji. Sipas tij, ajo që ka më shumë rëndësi është përcaktimi i problemit për të vendosur më pas edhe mënyrën e kurimit.

Top Channel