Beteja e kostove për “Brexit”, çfarë fiton dhe humbet Britania

28/04/2016 12:05

Mbyllja e derës për emigrantët nga shkëputja e Britanisë prej Bashkimit Europian do të kishte pasoja të mëdha dhe tepër të dëmshme për ekonominë e vendit.

Kështu tregon një studim i fundit, i publikuar vetëm pak pasi kampi pro-shkëputjes doli me pretendimet se po të qëndrojë në bllok, Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet të paguajë 1.2 miliard paund deri në vitin 2020 për të ndihmuar përpjekjet e anëtarësimit të vendeve jo-anëtare.

Të dyja fushatat kanë nisur t’i përshkallëzojnë ndjeshëm retorikat më pak se dy muaj nga referendumi i qëndrimit ose jo të Britanisë së Madhe në BE.

Sipas kampit për largim, fondet që do të duhet të lëshojë Londra për katër vitet e ardhshme duhet t’i shkojnë Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë në mbështetje të përpjekjeve të tyre për aderim.

Turqisë në mënyrë të veçantë, Anglia do t’i paguajë edhe 640 milionë paundë të tjerë si pjesë e marrëveshjes së arritur së fundmi mes bllokut dhe Ankarasë, që në këmbim të sistemimit të refugjatëve sirianë të kthyer mbrapsht parashikon lehtësimin e rrugës së saj drejt Bashkimit Europian. Sipas kundërshtarëve të qëndrimit, kjo e çon totalin e detyrimit britanik në 1.8 miliard paund.

Dy vjet më parë, BE-ja miratoi përdorimin e 11.7 miliardë eurove në total nga buxheti i saj 2014-2020, për të ndihmuar Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosoven të realizojnë reformat politike dhe ekonomike, të nevojshme për anëtarësim.

Top Channel