Tuneli muze në Gjirokastër, donacioni i parë nga prifti i qytetit

28/04/2016 00:00

Tuneli Muze, rreth 3 kilometra i gjatë që ndodhet poshtë kalasë së Gjirokastrës ka shumë nevojë për të grumbulluar objekte që do të shërbejnë për të treguar për turistët që e vizitojnë errësirën në të cilën Shqipëria jetonte nën komunizëm.

 Ndër objektet e para të dhuruara është një makinë shkrimi e viteve ’60, e cila u dorëzua në këtë muze nga At Theodhori Nikolla, prifti i qytetit.

“Aq sa më pëlqeu mbeta edhe i pakënaqur nga ambienti, që është i tëri i bosh. Unë iu përgjigja me atë që pata mundësi, por ngul këmbë që thirrja juaj të dëgjohet nga qytetarët. Të gjithë ata që kanë mundësi të japin kontributin e tyre, sikur edhe me citate të thjeshta”, u shpreh At Theodhori Nikolla.

Skerdi Thomai, përgjegjës për turizmin, thotë se donacione si kjo makinë shkrimi japin shpresë se Muzeu –Tunel se do të arrijë të përcjellë imazhe të forta të mendësisë së kohës.

“Prifti është personi i parë dhe është një shenjë e mirë që kjo do të ketë një sukses të mëtejshëm. Besoj se edhe njerëz të tjerë do të vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes”, thotë Skerdi Thomai, përgjegjës i zyrës së turizmit, Gjirokastër.

Tuneli, i njohur me termin “Vendkomanda e Shtabit të Mbrojtjes së Rrethit”, është ndërtuar rreth 84 metra nën nivelin e kështjellës. Ai ka 56 dhoma, është tre kilometra i thelle dhe me një sipërfaqe prej 5 mijë metrash katrorë, një investim gjigand që ishte planifikuar të mbronte figurat e larta komuniste në rast lufte.

Top Channel