Kosovë, kthehet pas 17 vitesh “i zhdukuri” i luftës

27/04/2016 00:00

Sejdi Thaçi nga Zajmi i Klinës, emri i të cilit figuron në memorialin e personave të zhdukur dhe martirëve të kësaj komune, është rikthyer në Kosovë pas 17 vjetësh.

Kthimi i tij, përpos që ngjalli shpresën, bëri që mbi 30 familjarë të të pagjeturve të shkojnë drejt fshatit Zajm, me shpresën për të mësuar ndonjë gjë për të afërmit e tyre.

Por, kthimi i Sejdi Thaçit ngriti dhe dyshime. Policia ka verifikuar identitetin e tij, ndërsa Top Channel mëson nga burime brenda Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, se po verifikojnë çdo informacion që ka dhënë ai dhe familja e tij për vendndodhjen në Serbi.

Pas disa versioneve të dhëna nga familjarët, vetë Sejdi Thaçi, i larguar nga Kosova në moshën 63-vjeçare, rrëfen se ka ikur vullnetarisht në Beograd ku edhe kishte punuar mbi 30 vjet para luftës.

“Shkova me qëllim që të rregulloj letrat për pensionin se atje kam punuar për 35 vjet. Më 6 dhe 7 janar kam qenë atje. Banesat i kam ndërruar shpesh se ashtu e kisha rastin”, u shpreh ai.

Ndërsa rrëfen historinë e tij, 80-vjeçari thotë se nuk kishte asnjë mundësi të kontaktonte familjen dhe kishte menduar se të gjithë ishin të vrarë.

“Më ka sjellë një serb deri në Mitrovicë. Në Mitrovicë e kam gjetur një tjetër deri në Pejë, pa pagesë. 1000 herë kam menduar si të kthehem, por nuk kisha mundësi”, tregon ai.

Familjarët thonë se e shpallën të zhdukur pasi data 6 janar 1999, kur ai është parë për herë të fundit në qytetin e Pejës, përkon me një nga ofensivat më të mëdha të forcave serbe në këtë qytet.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, konfirmoi për Top Channel se dosja e Sejdi Thaçit është hapur që nga viti 2004, bazuar në një hulumtim të UNMIK-t mbi kallëzimin e familjarëve.

Pas verifikimeve, dosja e 80-vjeçarit pritet të mbyllet ndryshe nga rastet kur një çështje e tillë konsiderohet e përfunduar me gjetjen e eshtrave apo identifikimin e viktimës, të cilin familja e ka shpallur të zhdukur.

Top Channel