Volejboll, Studenti shpallet kampion

27/04/2016 00:00

Studenti është kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Skuadra e drejtuar nga Ylli Tomorri mposhti Tiranën 3-1 me sete edhe në “play-off”-in e tretë, duke e siguruar titullin dy ndeshje para përfundimit të ndeshjeve finale mes këtyre dy ekipeve.

Ky është titulli i 5 radhazi dhe i 15-të në historinë e klubit të Studentit i cili vazhdon të tregojë se është skuadra më e fortë në volejbollin shqiptar.

Tirana u mundua të bënte surprizën e të thyente hegjemoninë e Studentit, por në asnjë moment bardheblutë nuk arritën të fitonin ndaj eksperiencës së lojtarëve kampion.

Tashmë Tiranës do t’i duhet të presë dhe të përgatitet fort vitin e ardhshëm, në mënyrë që të arrijë të rikthejë në palmaresin e saj titullin që nuk e fiton prej vitit 1994.

Top Channel