Mustafa në Bruksel, ende pa konfirmim për heqjen e vizave

27/04/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është pritur të mërkurën në Bruksel nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilët ka diskutuar për liberalizimin e vizave dhe proceset e tjera integruese.

Edhe pse Mustafa ka pritur që të marrë një konfirmim zyrtar për rekomandimin e heqjes së vizave, sipas komunikatës për shtyp, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Por presidenti i KE-së, Juncker ka përgëzuar Kosovën për progresin e arritur në kuadër të këtij proces. Sipas komunikatës, kryeministri Mustafa ka diskutuar në takimet e zhvilluara zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe për përfitimet që mund të vijnë nga ajo pas nisjes së lëvizjes së kosovarëve pa viza në zonën Schengen.

Mustafa ka thënë se tanimë Kosova pret vetëm vendimin e Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë. Ndër të tjera, në Bruksel është biseduar edhe për vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vijim të vizitës, kryeministri kosovar është takuar edhe me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, deputeten Ulrike Lunaçek.

Top Channel