100 ditë nga “Rio 2016”, shifra e kuriozitete të ngjarjes

27/04/2016 00:00

Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht për aktivitetin më të rëndësishëm sporti të vitit Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros. Kanë mbetur edhe 100 ditë deri në fillimin e këtyre lojërave që do të zgjasë 17 ditë.

Në “Rio 2016” do të marrin pjesë 10.500 sportistë nga 206 vende të botës që do të garojnë në 42 disiplina sportive për 4924 medalje. Do të jenë rreth 21 avionë që do të mundësojnë ardhjen e këtyre sportistëve në Rio de Janeiro.

Në Brazil prej vitesh ka filluar puna për këtë eveniment ku të angazhuar janë 140 mijë persona, 90 mijë janë të punësuar, ndërsa 50 mijë personat e tjerë janë vullnetarë.

Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros pritet të jenë tema kryesore edhe në rrjetet sociale. Një gjë e tillë u pa edhe në “Londër 2012” ku çdo ditë bëheshin 10 milionë komente për garat. Për këtë vit, IOC pret që numri i ndjekësve të Olimpikeve të jetë 3.6 miliardë persona.

Sportisti pjesëmarrës në këto lojëra që ka më shumë ndjekës në rrjetet sociale është futbollisti braziliani Neymar. Ndërsa braziliani është numër 1 në rrjetet sociale, ai që ka bërë historinë e Lojërave Olimpike është padyshim Michael Phelps. Notari amerikan ka fituar 18 medalje të arta në 3 edicione të Olimpikeve.

Problemet nuk mungojnë në prag të “Rio 2016” dhe një prej tyre është ai i shitjes së biletave. Në total, në shitje janë 7.5 milionë bileta dhe deri tani janë shitur vetëm 60% e tyre.

Një prej faktorëve që ka ndikuar në ecurinë e ngadaltë të këtij procesi është shfaqja e virusit Zika. por organizatorët bëjnë të ditur se brazilianët e kanë në traditën e tyre të presin deri në minutën e fundit për të blerë biletat e një ngjarjeje sportive.

Top Channel