Kosovë, aksion polici-EULEX kundër krimit të organizuar. I dyshuar edhe deputeti i PDK-së

27/04/2016 00:00

Rreth 350 policë të EULEX-it dhe të Kosovës kanë realizuar aksionin më të madh kundër krimit të organizuar, ku dyshohet se janë të përfshirë 40 persona, ndërsa listën e kryeson ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, i cili është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjatë aksionit në 42 objekte të ndryshme, policia ka arrestuar 6 persona, ndërsa deputeti Syla nuk është gjetur në shtëpi. Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se, ai prej 10 ditësh ndodhet në arrati.

Në një komunikatë për shtyp, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se, grupi kriminal i udhëhequr nga deputeti Syla përbëhej nga ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, avokatë të tjerë dhe qytetarë shqiptarë e serbë, të cilët kanë tjetërsuar prona në një vlerë prej 30 milionë eurosh.

Gjatë bastisjeve në zyrat e ish-kryegjyqtarit Nuhi Uka, policia ka marrë materiale, ndërsa ka zbuluar se një natë më parë, nga zyrat e Ukës janë larguar shumë prova, për të cilat policia ka marrë në pyetje edhe një roje si dëshmitar.

Për aksionin e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës ka reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili përmes Facebook-ut ka thënë se, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë.

Ndërsa kryetari në detyrë i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.

Personat e arrestuar sot dyshohen se, pas përfundimit të luftës në Kosovë, kanë shpronësuar dhjetëra hektarë tokë që ishin pjesë e ndërmarrjes shoqërore “KBI Kosova Export”, duke i kaluar në pronësi të disa serbëve të Kosovës, e pastaj i kanë kaluar në pronësi të tyre me vendime të paligjshme gjyqësore.

Top Channel