Turqi, kryeministri Davutoglu premton: Laiciteti, në themel të Kushtetutës së re

27/04/2016 00:00

Vetëm dy ditë pas deklaratave polemizuese të kryeparlamentarit turk, Ismail Kahraman, i cili pohoi se Turqia, duke qenë një vend mysliman duhet të ketë një Kushtetutë islamike, ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar i Ankarasë zyrtare.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka thënë se Kushtetuta e re e vendit do të përmbushë plotësisht parimin e laicizmit. Ai tha se çështjet e laicitetit dhe demokracisë së Turqisë nuk janë aspak “temë debati”.

Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe aspiron për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, teksa blloku 28-anëtarësh e ka konsideruar gjithnjë vendin euroaziatik si një model të demokracisë laike në botën islamike.

Por, kritikët e qeverisë së sotme i frikësohen faktit se, themelet e shtetit modern laik janë duke u gërryer. Partitë opozitare janë të shqetësuara gjithashtu se Kushtetuta e re mund të përqëndrojë më shumë pushtet në duart e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili prej kur është zgjedhur në këtë post ka kërkuar një Presidencë me pushtet ekzekutiv, për të zëvendësuar në këtë mënyrë sistemin aktual parlamentar.

Në fjalimin e mbajtur të mërkurën, kryeministri Davutoglu tha se “laiciteti do të shfaqet te Kushtetuta e re e draftuar, si një parim që garanton lirinë e besimit për qytetarët, duke e mbajtur kështu shtetin në një distancë të barazlarguar nga të gjitha grupet e besimeve”.

Megjithatë, edhe vet Kahraman, i cili të hënën kërkoi ndryshimin me Kushtetutë të shtetit laik për ta zëvendësuar me shtet islamik, shtoi më vonë se komentet e tij ishin “pikëpamje personale”.

Top Channel