Guardiola uron Atleticon, por me ironi: Festoni për 113-vjetorin, sepse në mbrëmje…

27/04/2016 00:00

Një provokim përpara sfidës së mbrëmjes të vlefshme për gjysmëfinalet e Championsit. Një gjë e bërë modë tashmë në Gjermani, e megjithatë Bayern Munchen nuk është se gjendet aty ku është sot vetëm prej polemikave.

Guardiola e pranon edhe publikisht presionin që përjeton tani, mbi të gjitha për detyrimin që ka për ta çuar trofeun me “veshë të mëdhenj” në Mynih, por gjithsesi i lejon vetes edhe disa nota humoristike, edhe pse ironike. Nga profili zyrtar në “Twitter” i gjigantëve të Bundesligës, spanjolli u dërgon një mesazh special urimi kundërshtarëve të radhës, të cilët po në rrjetet sociale dukej se po festonin 113-vjetorin e krijimit të klubit madrilen.

“Sot është ende koha për të uruar, por nesër do të jetë diçka ndryshe…”. Një urim në formë “kërcënimi” ky që duket se mban të gjallë tensionin përpara sfidës Atletico-Bayern. Mënyra sesi e kishte shkruar dukej sikur thoshte: “Përfitoni nga këto momente të gëzuara për të festuar, sepse më pas…do të mërziteni nga humbja”.

Atletico nuk i është kundërpërgjigjur, as mediet spanjolle nuk kanë reaguar apo polemizuar. Mbetet vetëm fakti i përdorimit të një ironie në atë mesazh urimi.

Top Channel