Sulmet ndaj ISIS kanë shkatërruar financat e grupit

27/04/2016 00:00

Rreth 800 milionë dollarë, parà të thata në zotërim të militantëve të Shtetit Islamik, janë shkatërruar si pasojë e sulmeve ajrore. Gjeneralmajor Peter Gersten, me bazë në Bagdad, njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin shënjestruar vazhdimisht vendet ku grupi depozitonte paratë.

Një goditje e tillë kundër financave të ISIS-it ka kontribuar në rritjen me 90 për qind të dezertimeve dhe në reduktimin e rekrutëve të rinj. Në 2014-n, Thesari amerikan e cilësoi Shtetin Islamik si organizatën më të mirëfinancuar terroriste.

Gjenerali Gersten, zv.komandant i operacioneve anti-ISIS drejtuar nga Amerika, sqaroi se 20 sulme ajrore kishin shënjestruar depozitat financiare të xhihadistëve. Por, ai nuk specifikoi sesi e kishin mësuar Shtetet e Bashkuara sasinë e parave të shkatërruara.

Në një rast, sipas gjeneralit, 150 milionë dollarë ishin shkatërruar në një shtëpi në Mosul të Irakut. Forcat që luftojnë ISIS-in kishin siguruar informacione se, në cilën dhomë të shtëpisë mbaheshin paratë dhe e kishin bombarduar atë nga ajri.

Vështirësitë financiare kanë detyruar militantët të shesin automjetet e tyre, sipas inteligjencës amerikane, ndërsa Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi në janar se ISIS kishte shkurtuar pagat e luftëtarëve për shkak të rrethanave në të cilat gjendej.

Të shumtë janë ata që janë larguar nga radhët e grupit, duke u maskur si gra apo refugjatë në Irak.

Top Channel