Trump nuk njeh pengesa, i fiton të pesta shtetet. Clinton vetëm 4

27/04/2016 00:00

Donald Trump fitoi zgjedhjet paraprake në të pestë shtetet që votuan të martën, ndërsa Hillary Clinton doli e para në 4 prej tyre. Pas triumfit dërrmues në Connecticut, Delaware, Maryland, Pensilvani dhe Rhode Island, Trump e quajti veten si “të nominuarin e supozuar” të republikanëve.

Një rezultat i tillë e afron edhe më shumë miliarderin nga Nju Jorku me numrin e delegatëve që i nevojiten përpara konventës partiake të korrikut.

Në kampin tjetër, Bernie Sanders ia mohoi Clintonit një fitore të ngjashme. Senatori i Vermontit mori Rhode Islandin dhe u betua të luftojë deri në fund të procesit të paraprakeve. Pasi siguroi 4 shtetet, nga Qendra e konventave në Filadelfia, ish-kryediplomatja u shpreh se fushata e saj po vendos objektiva të fortë e progresivë për përmirësimin e jetëve në Shtetet e Bashkuara.

“Ne besojmë në mirësinë e njerëzve tanë – tha Clinton, – dhe në madhështinë e kombit tonë”. Trump, nga ana tjetër, ishte si gjithmonë i drejtpërdrejtë, e siç e bëri të qartë përpara mbështetësve në Nju Jork, as që e ka ndërmend t’i moderojë politikat e tij nëse zgjidhet president.

“Nuk kam ndërmend të ndryshoj. Ju e dini që kam shkuar në shkollat më të mira. Hyj te njerëzit vërtet të zgjuar. Do ta përfaqësoj këtë vend sa më mirë të mundem dhe me dinjitet, por personalitetin tim nuk e ndryshoj. Në fund të fundit, është ai që më solli deri këtu”, tha Trump.

Njujorkezi duhet të mundohet edhe pak për ta futur në xhep nominimin e partisë, por me performancën e së martës, perspektiva e tij për të përfaqësuar republikanët në zgjedhjet e nëntorit është rritur ndjeshëm.

Top Channel